Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur një hetim ndaj tre gjyqtarëve nga Durrësi, të cilët dyshohen për korrupsion pasiv.
Sipas një investigimi të BIRN dhe Zërit të Amerikës, gjyqtarët dyshohen se kanë përfituar një udhëtim për të parë ndeshjen Real Madrid – Barcelona nga një biznesmen durrsak, i cili është palë në një proces civil që po shqyrtohej prej tyre.
Tre gjyqtarët në fjalë janë Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno nga Gjykata e Apelit në Durrës.
Sipas të dhënave të BIRN-it, tre gjyqtarët kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014, për të parë ndeshjen e futbollit Real Madrid – Barcelona.
Dyshohet se ky udhëtim është bërë në shoqërinë dhe financimin e biznesmenit Namik Sadiku, i cili është pronari i një kompleksi turistik në Durrës .
Në kohën e udhëtimit drejt Madridit, Sadiku kishte të hapur një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues ishin Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri. Më herët, dyshohet se relatori i çështjes, Kliton Spahiu dhe gjyqtari Petraq Dhimitri kishin udhëtuar në shoqërinë e Sadikut edhe në Itali.
Të dhënat zbulojnë se konflikti gjyqësor lidhet me ndërtimin e hotelit 10 katësh të Sadikut në plazhin e Durrësit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Sadiku ishte paditur nga ish ortaku i tij në ndërtimin e kompleksit, Oliver Ushina, prej shkurtit të vitit 2012.
Mësohet se fituesi i çështjes në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, është pikërisht paditësi Oliver Ushina.
Por Gjykata e Apelit e ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë më 18 shkurt 2015, duke i dhënë të drejtë Sadikut.
Megjithatë Ushina nuk është ndalur me kaq por ka paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë e Durrësit.
Ai akuzon tre gjyqtarët në fjalë se kishin marrë vendim në favor të Sadikut, pasi kishin përfituar prej tij dy udhëtime jashtë vendit.
Pro sipas rrjetit investigative BIRN, Sadiku I ka mohuar kategorikisht akuzat në fjalë, duke u shprehur se përkimi I datave është thjesht një rastësi dhe nuk ka lidhje me çështjen.
“Unë nuk kam pirë as edhe një kafe me gjyqtarët. Më zvarrisin prej një viti e tetë muajsh në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pa asnjë provë,” i tha Sadiku BIRN.
Madje mësohet se në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, gjyqtarët kanë mohuar të kenë marrë përfitime nga biznesmeni durrsak. Madje, relatori Spahiu deklaroi se shpenzimet e udhëtimeve i kishte paguar me paratë e fituara në lloto sportive.
Në deklaratat e pasurisë së dorëzuara në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive rezulton se gjyqtari Kliton Spahiu ka raportuar disa skedina fituese për të justifikuar pasurinë. Ai ka deklaruar se ka fituar në total 2 791 676 lekë dhe 4246 dollarë prej llotove sportive në vitet 2012-2014.
Tre gjyqtarët e akuzuar kanë një karrierë të gjatë në sistemin shqiptar të drejtësisë. Petrit Çeno drejton prej vitit 2010 Gjykatën e Apelit të Durrësit, ndërsa në vitin 2013 ai u dekretua nga presidenti Bujar Nishani në Gjykatën e Lartë. Gjithsesi, Çeno mbeti në Apel pasi Kuvendi rrëzoi dekretin e promovimit të tij. (D.D/Shuplaka)