Me mjaft bujë u prit sot lirimi nga burgu i anëtarit të Bandës së Durrësit, Endrit Dokle, pavarësisht se ndaj tij ishte dhënë dënimi me burgim të përjetshëm,për vepra të rënda penale, përfshirë edhe vrasjen.
Me një vendim të gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha, Dokle u la i lirë me pretendimin se kishte kryer më shumë se 25 vite burg, dhe me një garanci nga një biznesmen në fushën e naftës dhe të ndërtimit që do ta punësonte, dhe do të paguante sigurimet e tij shëndetësore.
Biznesmeni që doli garant, nuk ishte as më pak dhe as më shumë se Agim Çako, emrin e të cilit e ndeshim me një kërkim të thjeshtë se dhe vetë rezulton të ketë probleme me drejtësinë.
Në vitin 2016 Çako, që operon në fushën e naftës me kompaninë “A&A OIL 10”, rezulton se është shpallur në kërkim për veprat penale “fshehje e të ardhurave”, “kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “falsifikim i vulave, i stampave apo formularëve”.
Çako akuzohej asokohe se kishte shmangur detyrimet tatimore e doganore për periudhën 2010-2013, për një sasi prej 5247,89 ton naftë bruto, me një vlerë prej 179.594.750 lekësh të rinj.
Pas këtij momenti nuk ka një sqarim lidhur me fatin ligjor të Çakos, po duket se atij nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë, sa kohë që tashmë del garant për një të dënuar famëkeq si Endrit Dokle.
Përveç aktivitetit në fushën e naftës, Çakos i ka ‘’buzëqeshur” fati dhe në ndërtim, ku përmes “Mateo Konstruksion” tashmë do të ketë mundësi që të rehgabilitojë dhe Endrit Doklen, që pas burgut për vrasje, tashmë do ti duhet të përballet me një punë të vështirë siç është llaçi dhe betoni.
Por ajo që bie në sy nga të dhënat e kompanisë në Qendrën Kombëtare të Bizneseve është se ajo ka një sekuestro konservative aktive që mban datën 30 prill 2019.
Në urdhrin e përmbaruesit Euglent Osmanaj thuhet se “Mateo Konstroksion” është debitore ndaj subjektit “Ndue Gjelaj” dhe nuk i është përgjigjur kërkesës për shlyerjen e detyrimeve brenda afatit. Për këtë arsye ai i ka dërguar QKB-së urdhrin për vendosjen e sekuestros ndaj kompanisë deri në një vendim të dytë.
Vendimi i dytë nuk rezulton të jetë dhënë akoma. Kjo do të thotë se gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha ka marrë për bazë kontratën e një të dënuari me burgim të përjetshëm me një kompani nën sekuestro.
Fillimisht Dokle, në vendimin e Gjykatës thuhet se do të jetë për 3 muaj në provë, dhe më pas do të nënshkruajë një kontratë 1 vjeçare me të drejtë rinovimi, ku do të përfitojë një rrogë prej 35 mijë lekësh në muaj, plus siguracionet shëndetësore.
Nga ana tjetër ai do të jetë për 5 vite në shërbim prove, ku në rast të përsëritjes së ndonjë shkelje, do të duhet të kthehet sërish pas hekurave, ku iu desh të kalonte vitet më të bukura të jetës.
(E.K/Faxweb.al)