Policia e shtetit do të kalojë me shërbim të përforcuar gjatë natës së sotme të ndërrimit të viteve. Gjatë 72 orë në dispozicion do të angazhohen 4500 punonjës policie.
Do të angazhohen rreth 2460 patrulla të përgjithshme. Këto masa të shtuara të policisë do të vazhdojnë deri në datë 04.01.2017. Janë angazhuar 50 forca të antiterrorit dhe, 54 forca RENEA, 780 punonjës të policisë rrugore, 760 punonjës të policisë kufitare etj.
Policia gjithashtu iu bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të mos konsumojnë alkol gjatë drejtimit të mjetit pasi masat ndëshkimore do të jenë vërtet të rënda.
Të gjitha këto masa merren në kuadër të një mbarëvajtje sa më të mirë të festave, duke garantuar rend dhe siguri.
Detajet e plota të policisë:
“Në kuadër të parandalimit të aksidenteve rrugore, në të gjithë territorin e vendit shërbimet e policisë rrugore do të jenë prezente. Në të gjitha Pikat e Kalimit të Kontrollit Kufitar janë marrë masat për shtim të sporteleve dhe të burimeve njerëzore. Në kufirin e gjelbër do të ketë patrullim të përbashkët mes Policisë Kufitare dhe Sektorit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe.
Për monitorimin e situatës në gadishmëri janë edhe efektivët e Drejtorisë së Antiterrorit si dhe Njësia Operacionale Antiterrorizëm. Këto forca investiguese dhe operacionale do të jenë të dislokuara në të gjithë territorin e vendit duke kryer investigime policore dhe hetime proceduriale me përdorim të metodave speciale të hetimit. Gjithashtu për çdo situatë të papritur, në gadishmëri janë edhe Forcat Speciale Renea dhe Forcat e Posaçme Operacionale.”
Për realizmin e këtyre detyrave gjatë 72 orëve, do të angazhohen në patrullim të territorit, gjithsej 4500 punonjës policie dhe konkretisht:
2460 Patrulla të Përgjithshme.
780 punonjës të policisë rrugore.
21 grupe të FNSH-së, gjithësej 200 punonjës policie.
54 forca të Repartit Special RENEA
40 forca të Forcës së Posaçme Operacionale
50 forca të Drejtorisë së Antiterrorit dhe Njësia Operacionale Antiterrorizëm.
760 punonjës të Policisë Kufitare.
155 agjentë e specialistë të Sektorit Kundër Narkotikëve dhe Sektorit kundër Krimeve të Rënda.
“Bëjmë me dije se rreth një orë para momentit të ndërrimit të viteve në sheshet kryesore të qyteteve të vendit do të ketë prezencë të shtuar policore nën drejtimin e drejtuesve kryesorë të njësive policore (drejtorë të drejtorive vendore / shefa komisariatesh /shefa stacionesh policie, të cilët do të monitorojnë festimet deri në shpërndarjen e banorëve që festojnë.
Të gjitha këto shërbime menaxhohen dhe drejtohen nga grupe të drejtimit që janë ngritur dhe funksionojnë që prej datës 27.12.2016 – 04.01.2017 si në D.P.Shtetit, në çdo D.V.P dhe Komisariat policie gjatë gjithë 24 orëshit. Specialistët në Drejtorinë e Policisë së Shtetit janë shpërndarë në Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe për të monitoruar zbatimin e detyrave të mësipërme. Policia e Shtetit porosit edhe njëherë të gjithë prindërit që të mos lejojnë fëmijët të përdorin fishekzjarret pa praninë e tyre.
Të gjithë drejtuesit e automjeteve, gjatë ditëve të festimit, të mos përdorin alkool në rast se do të qarkullojnë me automjetet e tyre, në të kundërt të përdorin automjetet e transportit publik. Të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin aparatin celular dhe të mos qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, si dhe drejtuesit e motoçikletave të vendosin kaskën mbrojtëse.
Me qëllim që nata e ndërrimit të viteve të kalojë pa probleme, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve si dhe ndihmën e tyre për të denoncuar në kohë çdo paligjshmëri që mund të konstatojnë. Policia e Shtetit uron të gjithë qytetarët Gëzuar Vitin e Ri 2017, mbarësi e begati në familjet tuaja.”, theksohet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
(E.K/SHUPLAKA)