Kryetari i Bashkisë Skrapar Nesim Spahiu i është drejtuar sot, Përfaqësive Ndërkombëtare në Shqipëri, Trupit Diplomatik dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prezencës së Bashkimit Evropian, OSBE si dhe gjithë ambasadorëve të Bashkimit Evropian në Shqipëri në lidhje me situatën bllokimit të Buxhetit të Bashkisë Skrapar.
Sipas Spahiut kjo është e qëllimshme nga ana e qeverisë, duke bllokuar në Degën e Thesarit përdorimin e 1/12 të Buxhetit faktik të vitit paraardhës, ndryshe nga sa parashikohet në ligj. (LEXO EDHE)
“Kjo tentativë dashakeqe dhe që bëhet për presion për votën në zgjedhjet e ardhshme, ka bërë që të ndërpriten të gjitha shërbimet që kanë lidhje me veprimtarinë financiare të Bashkisë si dhe zvarritjet e qëllimshme që po bëhen në Gjykatën Administrative të Apelit Vlorë për sigurimin e padisë që ka kaluar çdo afat ligjor”, thuhet në njoftimin e Bashkisë Skrapar.
Letra e plote
Dëshiroj t’Ju informoj në lidhje me një situatë të paprecedent dhe jo ligjore, të krijuar në Bashkinë e Skraparit, nga Qeveria.
Bashkia Skrapar ka respektuar të gjitha afatet ligjore, për miratimin e projekt-buxhetit të vitit 2019. Konkretisht:
- Brenda datës 27.11.2018, siç e parashikon ligji, Bashkia Skrapar i ka dërguar me shkresë zyrtare Këshillit të Bashkisë, projekt-buxhetin e vitit 2019;
2. Mbledhja e parë e Këshillit të Bashkisë u zhvillua më datën 14.12.2018, ku Këshilli nuk e miratoi projekt-buxhetin;
3. Bazuar në parashikimet ligjore, Prefekti i Qarkut Berat, Z. Harilla Dafa, mbështetur në informacionin e marrë zyrtarisht nga Bashkia Skrapar, i kërkoi Kryetarit të Bashkisë, të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Bashkisë, në datën 28.12.2018, ditë në të cilën Këshilli i Bashkisë, pa arsye dhe pa njoftuar zyrtarisht Bashkinë, nuk u mblodh duke sjellë përsëri mosmiratimin e projekt-buxhetit për vitin 2019;
4. Prefekti i Qarkut, me një shkresë zyrtare, iu drejtua Kryetarit të Bashkisë dhe Kryetarit të Këshillit të Bashkisë dhe kërkoi mbledhjen e Këshillit të Bashkisë në datën 04.01.2019, në orën 11:00.
Kjo shkresë, bazuar në dokumentet që disponon Zyra e Protokollit të Bashkisë Skrapar, ka mbërritur në datën 04.01.2019, në orën 12:00, duke sjellë kështu mungesën e Kryetarit të Bashkisë dhe stafit të tij në këtë mbledhje.
Këtë mbledhje e ka drejtuar vetë Prefekti i Qarkut, Z. Harilla Dafa, duke marrë kështu de-facto kompetencat e Kryetarit të Bashkisë, çka përbën shkelje të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.
Edhe në këtë mbledhje, Këshilli i Bashkisë nuk e ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2019 dhe kjo vërtetohet me procesverbalin e mbledhjes, të datës 04.01.2019;
5. Sipas procesverbalit të mbledhjes së datës 04.01.2019 dhe shkresës që i është dërguar Prefektit të Qarkut nga Sekretarja e Këshillit të Bashkisë, rezulton të jenë miratuar 4 (katër) vendime, por asnjë prej këtyre vendimeve, përsëri nuk miraton projekt-buxhetin e Bashkisë Skrapar për vititn 2019. Prefekti i Qarkut Berat, konfirmon marrjen e 5 (pesë) vendimeve nga Këshilli i Bashkisë, ku pretendon që vendimi i pestë i takon miratimit të projekt-buxhetit të vitit 2019, gjë e cila dëshmon falsifikimin e vendimit, fakt për të cilin Bashkia Skrapar, ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Beratit;- Mbështetur në ligjin nr. 68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, neni 41, pika 5, si dhe në Udhëzimin Nr. 2, të Ministrisë së Financave, datë 06.02.2012, “Për procedurat standarte të zbatimit të buxhetit”, Kreu II.3 “Buxheti vendor”, pika 94, përcaktohet se “kur Këshilli i Bashkisë nuk miraton projekt-buxhetin brenda afateve ligjore, Kryetari i Bashkisë urdhëron për zbatimin e buxhetit në nivelin e 1/12 e shpenzimeve faktike të vitit të mëparshëm”;
- Ministria e Financave ka bllokuar në Degën e Thesarit Skrapar veprimet financiare të Bashkisë Skrapar, me pretendimin se Bashkia duhet të zbatojë vendimin e Këshillit të Bashkisë, lidhur me miratimin e projekt-buxhetit, vendim i cili nuk ekziston, madje edhe 4 vendimet e marra më datën 04.01.2019 nga Këshilli i Bashkisë, janë të paplota, të falsifikuara dhe të pa shoqëruara me pasqyrat financiare, të rakorduara dhe ku duhet të ishin reflektuar ndryshimet që kërkonte Këshilli i Bashkisë. Këto vendime, janë të pazbatueshme si teknikisht ashtu edhe praktikisht.
Bazuar në ligjin nr. 139/2015, parashikohet se:
“Këshilli Bashkiak shpërndahet para kohe me vendim të Këshillit të Ministrave, kur nuk miratohet buxheti brenda afateve ligjore.”Për të mos shpërndarë Këshillin e Bashkisë, pasi ky Këshill ka shumicë anëtarësh nga subjekti Partia Socialiste e Shqipërisë, në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjeve, Ministria e Financave, bllokon çdo veprim financiar të Bashkisë Skrapar, në Degën e Thesarit.
Bashkia Skrapar edhe pse ka konsumuar të gjitha rrugët ligjore për miratimin e buxhetit të vitit 2019, vendime të paligjshme të Këshillit të Bashkisë Skrapar, si dhe konfirmimet e prefektit të Qarkut Berat, të mbështetur dhe nga Ministria e Financave, fatkeqësisht po ndikojnë drejtëpërsëdrejti në jetën 17.500 banorëve, të cilët kanë ngelur pa shërbimet bazë që u ofron Bashkia .
Kjo dhe për shkak të ndikimeve politike, që po i bëhen bashkisë, sepse ajo drejtohet nga një përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Këshilltarët socialistë krijuan një maxhorancë të manipuluar në këshillin bashkiak nëpërmjet presioneve dhe blerjes së anëtarëve me vende pune. Me anë të këtij veprimi, kanë arritur të pengojnë veprimtarinë e Bashkisë Skrapar, nëpërmjet akteve të paligjshme, për mosmiratimin e buxhetit, situatë e krijuar është mbështetur nga Prefekti i Qarkut Berat, Z. Harilla Dafa dhe nga deputeti i Partisë Socialiste në këtë qark, Z. Adnor Shameti.
Ky bllokim i veprimtarisë financiare, po çon Bashkinë Skrapar në një kolaps për ofrimin e shërbimeve .
Bashkia Skrapar, nga ky bllokim i veprimtarisë financiare , nuk kryen dot proçedurat e prokurimit për blerje ushqimesh, blerje nafte etj.
Gjendur në këto kushte , u bë e pamundur funksionimi i çerdhes, konviktit e nxënësve, Qendrës së Fëmijëve me Aftësi Ndryshe, si dhe shumë shërbime të tjera të cilat po ndikojnë në komunitetin e kësaj bashkie.
Aktualisht, që prej fillimit të vitit, punonjësit e Bashkisë Skrapar, si dhe institucioneve vartëse të saj, nuk kanë marrë pagat.
Bashkia Skrapar, i ka kërkuar Ministres së Financave, Znj. Anila Denaj, të zbatojë ligjin, duke na lejuar të vazhdojmë verpimtarinë financiare me 1/12 e shpenzimeve faktike të buxhetit vendor të vitit paraardhës, por edhe nga ky instiucion vijnë vendime politike.
Gjithashtu i jemi drejtuar dhe Kryeministrit, z. Edi Rama, por edhe nga ana e tij nuk ka patur asnjë reagim.
Për këtë situatë të krijuar, Bashkia Skrapar i është drejtuar organeve të drejtësisë, lidhur me ligjshmërinë e këtyre akteve, por dhe në këto institucione po ndodhin zvarritje të qëllimshme, duke i thelluar edhe më tej pasojat që po i vijnë Bashkisë.
Kjo për faktin se në Gjykatën Administrative Vlorë, gjyqtari i çështjes, dikur koordinator i Partisë Socialiste të Qarkut të Vlorës, nuk ka arsyetuar dhe nuk ka zbardhur akoma vendimin e marrë “Per moskompetencë gjykimi të çështjes” dhe dërgimin e saj në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë.
Gjithashtu, Bashkia Skrapar i është drejtuar me kallëzim penal për veprën “Shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentacioni”, ndaj Prefektit të Qarkut Berat, Z. Harilla Dafa, Prokurorisë së Shkallës së Parë, Berat.Ju bëjmë me dije se këto veprime të paligjshme, dirigjohen nga deputeti socialist, Adnor Shameti dhe për fatin më të keq, mbështeten nga të gjitha institucionet shtetërore, si dhe nga kryeministri i vendit, në kundërshtim me ligjin dhe më qëllimin e vetëm për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme.
Për sa më sipër, kërkojmë ndërhyrjen Tuaj, në mënyrë që Bashkia Skrapar, të vijojë punën e saj, në ofrimin e shërbimeve bazike ndaj qytetarëve dhe në mënyrë të veçantë, ndaj kategorive më vulnerabël, siç janë fëmijët e çerdheve, nxënësit e konvikteve dhe fëmijët me aftësi ndryshe dhe nevoja të veçanta.
Me respekt,
KRYETARI I BASHKISË
Nesim Spahiu
(E.K/FAXWEB.AL)