Të paktën 43 persona janë vrarë në një sulm të shtunën në veri-lindje të Nigerisë. Autorët mësohet se lidhën punonjësit në fushat e orizit dhe iu prenë fytin pranë Maiduguri, kryeqytetit të Bornos.
Ky është cilësuar si një ndër sulmet më të rënda në muajt e fundit të shkaktuar nga Boko Haram dhe grupet kryengritëse të Shtetit Islamik në Afrikën Perëndimore.
Deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë e sulmit. Presidenti i Nigerisë Buhani e quajti këtë ngjarje si çnjerëzore, teksa ka kërkuar kapjen e autorëve. Muajin e kaluar luftëtarët e Boko Haram vranë 22 fermerë në dy sulme të ndryshme.