Deputeti i LSI-së Endrit Braimllari gjatë fjalës së tij në parlament ka theksuar se sot është prezent në qeveri një korupsion i madh.
Braimllari i ka kërkuar Ramës se para se të flasë për emrërimet duhet të tregojë pse emëroi në krye të AKU-së një që ka mbaruar për këmbësori.
“Para se të na tregojë ato emërimet duhet të na tregojë që drejtori i ri i OST-së ka arsimim për tekstile. Se çfarë lidhje ka Tezgjau me Energjetikën vetëm ky e di. Para se të na flasë për emërime duhet të na tregojë mbi faktin se pse emëroi në krye të AKU-së një drejtor i cili kishte mbaruar për këmbësori. Çfarë lidhje ka këmbësoria me AKU-në, vetëm ky e di. Sot del e bën show lart e poshtë dhe gjyqe publike por harron se ato emërime i ka bërë vetë. Është ky që ndërtoi këtë sistem të shfifur që po i pi gjakun shqiptarëve.”, shprehet deputeti.
FJALA E PLOTË:
Fjala e deputetit të LSI-së, Endrit Braimllari, në seancë plenare Të nderuar kolegë, seanca e sotme për diskutimin mbi komisionit për reformën zgjedhore është e një rëndësie të veçantë. Nuk ka kaluar shumë kohë nga procesi zgjedhor i 25 qershorit, i cili shënoi një moment në zi në historinë 27 vjeçare të pluralizmit dhe demokracisë shqiptare. Diskutimi ynë i sotëm është i një rëndësie të veçantë sepse duke filluar nga sot ne duhet të marrim masa që të mos ndodhë më një 25 qershor në të ardhmen e këtij vendi. Të mos guxojë më askush të deformojë vullnetin e shqiptarëve ashtu siç u bë në procesin e fundit zgjedhor në Shqipëri. Të bëjmë gjithçka që t’ia bëjmë të pamundur më kujtdo që të mund të lidhë aleancë me krimin e organizuar për të ushtruar dhunë ndaj qytetarëve shqiptarë për tu blerë votën. Natyrisht edhe në legjislacionin e kaluar ne patëm një Komision Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Por çfarë bëri ky komision?! E zvarriti punën duke mos bërë kurrë në fakt një reformë konkrete. Të nderuar kolegë, për Lëvizjen Socialiste për Integrim është shumë e rëndësishme që reforma zgjedhore të nis sa më shpejt të jetë e mundur.
Të nis puna që sot për të pasur një reformë zgjedhore të vërtetë. Të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur dhe të mos kemi shtyrje pa fund për të gjetur zgjidhje në momentin e fundit. Një zgjidhje në fakt e cila lë hapësira për abuzim, zgjidhje të cilat janë përdorur në interes të një partie të caktuar ashtu siç u bë me 17 maj, ku u dhunua kodi zgjedhor dhe ajo marrëveshje e errët politike u shit si një shpëtim për shqiptarët, ku ne, qytetarët do merrnim njëhërë e përgjithmonë zgjidhje përsa i përket shit blerjes së votës, apo përdorimit e strukturave shtetërore dhe krimit e organizuar ne fushatë. Në fakt ndodhi e kundërta, krimi i organizuar, strukturat shtetërore, paratë e krimit, deformuan vullnetin e qytetarëve. Shqipëria i ka provuar pothuajse të gjitha sistemet zgjedhore. Megjithatë problemi nuk ka qenë asnjëherë te sistemi. Gjithmonë ka munguar vullneti për t’i dhënë shqiptarëve mundësi të votojnë të lirë dhe të kenë një proces të drejtë dhe pa probleme. Gjithmonë ka ekzistuar mania për ta prishur procesin zgjedhor, për ta deformuar vullnetin e shqiptarëve. Raporti i fundit i OSBE-ODIHR-it është shumë i qartë për 25 qershorin.
Është shumë i qartë kur thotë se përdorimi i strukturave të shtetit, i krimit të organizuar apo edhe shit-blerja e votës duhen eliminuar menjëherë. Dhe ky komision për të cilin ne po diskutojmë sot këtyre plagëve duhet t’i japë përgjigje sa më parë, ndryshe do të jetë i dështuar dhe nuk do të bëjë një reformë zgjedhore të vërtetë por do të bëjë show-n e radhës. Gjithnjë kur Shqipëria ka pasur nevojë për një reformë të vërtetë zgjedhore ajo është mbajtur peng për të përfituar në momentin e fundit. Sepse zgjidhjet e fundit politike kanë qenë gjithnjë në mungesë të plotë të transparencës, në dhunim të Kodit Zgjedhor. Ne nuk duam që kjo të ndodhë sërish. Shqiptarët meritojnë përfaqësim sa më të drejtë dhe sa më dinjtoz. Dhe ky përfaqësim vjen vetëm nëpërmjet votës së lirë dhe jo deformimit të saj. Ne nuk duhet të kemi më mazhoranca si kjo që ka sot ky parlament. Sot ne kemi një qeveri e cila nuk përfaqëson vullnetin e shqiptarëve, sepse kjo është një qeveri e ndërtuar mbi deformimin e këtij vullneti popullor. Dhe ja cilat janë pasoja: Sot kemi një qeveri të vogël por me korrupsion të madh, qeveri e vogël me 33 zëvendës-ministra që edhe vetë po ti pyesni nuk e dinë rolin dhe funksionin që kanë në këtë qeveri. Në fakt zëvendës-ministrat janë përdorur për të ndarë tepsinë dy pjesë.
Njëra pjesë i përket krimit të organizuar dhe tjetra oligarkisë sepse këto e sollën në pushtet dhe po këto e mbajnë peng këtë qeveri. Sot kjo qeveri sjell në krye të institucioneve njerëz të paaftë që nuk njohin ligjin, nuk njohin zbatimin e ligjit por me krenari thonë që ligji jam unë. Po shkatërron administratën publike duke shkelur ligjin e nëpunësit civil, atë ligj që Bashkimi Evropian investoi në Shqipëri jo vetëm burime njerëzore por edhe të ardhura me qëllim reformimin e administratës dhe përafrimin e saj me vendet evropiane. Ndjej keqardhje kur shikoj Kryeministrin e vendit që bën sot detyrën e shefit të ofiçinës së Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Energjisë. Para se të na tregojë ato emërimet duhet të na tregojë që drejtori i ri i OST-së ka arsimim për tekstile. Se çfarë lidhje ka Tezgjau me Energjetikën vetëm ky e di. Para se të na flasë për emërime duhet të na tregojë mbi faktin se pse emëroi në krye të AKU-së një drejtor i cili kishte mbaruar për këmbësori. Çfarë lidhje ka këmbësoria me AKU-në, vetëm ky e di. Sot del e bën show lart e poshtë dhe gjyqe publike por harron se ato emërime i ka bërë vetë. Është ky që ndërtoi këtë sistem të shfifur që po i pi gjakun shqiptarëve.
(J.V/Shuplaka)