Në vijim të bashkëbisedimit me gazetarët, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi kërkoi ndërhyrjen e Prokurorisë dhe Zyrës Kombëtare të Hetimit, organe të specializuara që do të ndihmojnë në goditjen e fenomenit të vjedhjes së votës.
Ai u ndal tek çështje të tilla si sistemi zgjedhor dhe referendumi që duhet të bëhen më efikase. Lidhur me këtë, Bylykbashi akuzoi qeverinë për regjistrimin e partive politike fiktive në zgjedhje, të cilat përbëjnë një mekanizëm mafioz.
“Ndërmjet kësaj skeme, Partia Socialiste po bën gati kontrollin e shqiptarëve. Përveçse sistemit zgjedhor, referendumi ka gjithashtu një rëndësi të madhe. Ka ardhur moment që shqiptarët të shprehen kundër asaj që thotë politika.”, u shpreh demokrati Bylykbashi.
Lidhur me standardin e zgjedhjeve, ai akuzoi Partinë Socialiste se në zgjedhjet e mëparshme, ka ndërhyrë edhe në regjistrin e TIMS për të manipuluar firmat e emigrantëve. “Zgjedhjet teknike mund të kenë më shumë kosto, por i rëndësishëm është standardi. Duam të dimë përse PS nuk do votim elektronik. Ne do të vazhdojmë të këmbëgulim për standardin në zgjedhje. Zgjedhjet po vijnë ndërkohë që dekriminalizimi po merr më shumë kohë, nëse PS bën lojën e drafteve ne nuk do të tolerojmë.”, u shpreh ndër të tjera Bylykbashi në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve. (XH.A/SHUPLAKA)