Pavarësisht kritikave ndaj policisë, Drejtori i Përgjithshëm Haki Çako gjatë një takimi me Drejtorët qendrorë dhe ata vendorë, ka falënderuar këta të fundit për profesionalizmin, përkushtimin dhe paanshmërinë e treguar në menaxhimin e masave të mara për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Çako ka vlerësuar punën e gjithë punonjësve të policisë, rolin e tyre, ku pavarësisht temperaturave politike të cilat shpeshherë tentuan ta përbaltin punën e policisë apo ta akuzonin këtë të fundit për njëanshmëri, ka vlerësuar maksimalisht qëndrimin dhe profesionalizmin e çdo punonjësi policie.
Drejtori i Përgjithshëm, ka vlerësuar punën dhe profesionalizmin e treguar nga Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Altin Qato, për menaxhimin dhe drejtimin e gjithë këtij procesi, ku për herë të parë u aplikua një program i menaxhimit online të shërbimeve të Policisë së Shtetit, për procesin e votimit.
Gjatë takimit, Çako është ndalur në përmbushjen e një prioriteti tjetër madhor për Policinë e Shtetit, në parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, prioritet ky mbarëkombëtar i shpallur nga Qeveria.
Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm ka theksuar se krahas punës së pandërprerë dhe angazhimit maksimal të strukturave të Policisë së Shtetit, për të çuar drejt zerimit kultivimin e kanabisit, na duhet të përqëndrohemi në rritjen e parametrave të sigurisë gjatë sezonit turistik veror, krijimin e lehtësirave në pikat e kalimit të kontrollit kufitar, në patrullimin nga Policia në plazhe.
Gjithashtu puna jonë të përqëndrohet edhe në drejtim të parandalimit të prerjes së pyjeve, të zjarrvënies, të ndërtimeve pa leje, të vjedhjes së energjisë elektrike, të goditjes së personave që qarkullojnë me armë, parandalimit të vjedhjeve etj.
Fjala e Çakos:
“Jemi të qartë dhe ndërgjegjshëm që ishte një proces i cili më shumë se sa një detyrë policore që në një normalitet nuk do të kishte këto temperatura, nuk do të kishte këto agresivitete ndaj policisë, pati për synim, pse jo edhe produkte të caktuara politike, synuan ose intimiduan policinë, pa filluar akoma procesi. E bënë atë objekt të diskutueshëm, ose një domosdoshmëri për tu mbikëqyrur nga shumë e shumë sy.
Përveç faktit që Policia duhej të mbante në kontroll vetveten gjë që e bëri në mënyrën më të shkëlqyer të mundshme, në vlerësimin tim e bëri në mënyrë perfekte, por i duhej që në bazë të ndryshimeve të reja të legjislacionit të kodit penal për krimet elektorale edhe shumë tendenca të cilat ishin precedentë ndër vite në proceset zgjedhore, të ishte garante për të vendosur përpara përgjegjësisë ligjore çdo shkelës, çdo individ apo subjekt, i cili bënte të mundur cënimin e këtij standardi.
Na duhet si oficerë policie që të përballemi me frontin tonë që është paligjshmëria, por kanë qenë ambiente dhe temperatura të cilat vendosnin nën presion drejtuesit së pari, por edhe të gjithë efektivat e policisë.
Por kjo tregon që njerëzit janë të ndërgjegjshëm për përgjegjshmërinë e tyre, e kanë të qartë se çfarë do të thotë ligj dhe çfarë do të thotë detyrë dhe çfarë do të thotë interes politik që del jashtë kuadrit policor dhe jashtë nevojës që e bën të mundur në një moment të caktuar domosdoshmërinë për t’u garantuar të gjithë shqiptarëve të drejtën e lirisë së votës dhe shprehjes si çdo qytetar tjetër evropian.
Jemi në një moment shumë deçiziv të një prioriteti tjetër të jashtëzakonshëm do ta quaja, që është ai i planit veprimit të luftës për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikimit të tyre, e cila është një pjesë e strategjisë së qeverisë shqiptare, e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe e Policisë së Shtetit. Ky prioritet kërkon angazhimin e gjithësecilit.
Ky aksion kërkon të mos ndalet më në asnjë minutë. Veç aspektit të kontrollit të territorit i cili është baza dhe ju jeni të bindur të gjithë që ky rezultat që kemi aktualisht, është produkt i një pune të nisur që në fillim të vitit, që në janar me kontrollin e të gjitha ambienteve. Me kontrollin e të gjitha tuneleve, serave ose ambienteve të dyshuara dhe zonave në risk. Çdo moment i fillimit të operacionit, dua që të ketë një angazhim sikur e fillojmë nga e para.
Serat janë në gjendje. Ju e dini shumë mirë që shumë sera tashmë funksionojnë pavarësisht nga koha dhe temperatura e lartë që ekziston, ndaj do të duhet që dhe ato t’i nënështrohen një kontrolli të rreptë për të mbajtur në mbikëqyrje personat me risk ose zonat me risk. Por mos harroni se në zonat e thella ku gjatë vitit të kaluar apo kohë më parë mund të kishte përgatitje dhe kishte sistemim për të kultivuar, mund të ketë përsëri tendenca dhe duhet të jemi të kudondodhur për ta bërë të pamundur aksesin për të kultivuar.
Ndonëse nga monitorimi me partnerët italianë rezultati është thuajse zero në konstatim në fluturim, ne duhet të fillojmë këtë javë të monitorojmë me helikopterët tanë, të cilët kanë identifikuar jo pak raste. Kërkoni dhe me insistimin tuaj dhe të drejtorëve vendorë, zona të cilat nuk jeni në gjendje fizikisht t’i kontrolloni, kërkoni t’i monitoroni ose t’i bëni objekt të mbikëqyrjes nga ajri.
Jemi në një fazë e cila e ka ndarë përgjegjësinë e subjekteve të veprës penale të trafikimit nga ajo e kultivimit. Kultivimi është çështje që mund të ketë elementë të tjerë edhe varet nga zonat rurale, ndërsa trafikimi janë organizatat dhe grupet kriminale ato të cilat kanë akumuluar, kanë përqendruar tashmë sasinë e kanabisit. Nuk ka grumbullim për trafikim nga halli dhe pakujdesia. Këtë e bëjnë vetëm grupet kriminale të strukturuara për trafikim. Sa më shumë të goditen grupet e tilla kriminale aq më komodë jemi edhe në parandalimin e krimeve të rënda.
Jemi në momentin e fillimit të sezonit turistik. Është e domosdoshme të kemi parasysh disa parametra të cilat bëjnë të mundur vlerësimin përfundimtar të punë së policisë, siç është parandalimi i ngjarjeve aksidentale në rrugë. Parandalimi i fenomeneve të tjera si të vjedhjes së turistëve apo shtetasve shqiptarë që vijnë për të pushuar gjatë verës në zonat bregdetare ose në zonat e tjera turistike. Duhet t’i krijohet akses qytetarëve që të mos u vështirësohet lëvizja, por t’u mundësohet lëvizja e lirë.
Policia Rrugore nuk duhet të kenë qëllim në vetë vete gjobat. Shqiptarët vijojnë të mbeten të shkujdesur në timon. Shpesh herë bëhen të papërgjegjshëm komplet, si në pije, në shpejtësi apo në mos respektimin e rregullave, por prezenca jonë duhet të jetë shumë e madhe në drejtim të parandalimit.
Impenjim maksimal lidhur edhe me një sërë çështjesh të tjera të paligjshëmërisë sikurse mund të jenë ndërtimet pa leje, vjedhjet e ndryshme të banesave, dëmtimi i pyjeve, në veçanti nga zjarret.
Zjarret për shkak të temperaturave të larta mund të jenë një problem më vete.
Duhet të porosisni specialistët apo ndihmës specialistët të jenë shumë të ashpër karshi të gjithë atyre që vendosin zjarre me dashje. Shpesh herë një pjesë e zonave malore digjet me qëllime të caktuara nga barinjtë për të bërë rifreskimin e kullotave, por kjo krijon pasoja të jashtëzakonshme për pyjet, për zonat e banuara. Mos kurseni askënd që merr iniciativa të tilla për të vendosur zjarre.