Një tronditje e fortë për 25 mijë të rinj dhe familjet e tyre. Dhe nëse do të rezultojë e vërtetë, pasojat do jenë dramatike për punonjësit e rinj shqiptarë që kanë mbaruar studimet e larta por që si mundësi të fundit punësimi kanë gjetur Call Center-at e italianëve.
A do largohen kompanitë që prej vitesh ushqejnë të rinjtë që me talentin e tyre flasin 2 apo tre gjuhë njëherësh?
Sipas ”Monitor”-it institucionet shqiptare kanë nisur përpjekjet e tyre për të mbajtur me çdo kusht sipërmarrësit italianë në Shqipëri. Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë dhe ajo e Mirëqenies Sociale kanë detyruar specialistët të ulen në tryeza diskutimi për të gjetur zgjidhje. Ekspertët shqiptarë pritet të gjejnë një rrugë për të lobuar pranë qeverisë italiane në lidhje me çështjen, e cila nga pala përtej Adriatikut duket se ka nisur të planifikohet që në muajin tetor.
Italianët duan të heqin nga Shqipëria Call Centera-t, me qëllim zhvendosjen e tyre drejt Italisë.
Mendohet që pala shqiptare do t’i drejtohet senatit italian por edhe Federica Mogherinit, e cila është zëvendëspresidente e KE-së dhe komisionere për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë.
Përmes këtij projektligji qeveria italiane po tenton të forcojë masat ndaj fenomenit ‘dumping’ në sektorin sektorin e call center, që ka sjellë krizë në punësim dhe një rënie të vazhdueshme të marzhit të fitimit.
Hartuesit e këtyre amendimeve kanë parashikuar një ndërhyrje të dyfishtë që ka të bëjë si me shërbimin inbound, ashtu edhe outbound, si janë forcuar normat që rregullojnë fenomemin e delokalizimit. Gjithashtu janë parashikuar edhe sanksione të ashpra administrative, siç janë gjobat që shkojnë deri në 150,000 euro.
Nga miratimi i këtij ligji sektori i call center në Shqipëri pritet të rrezikohet në një masë të madhe, duke qenë se në të janë punësuar rreth 25,000 persona, kryesisht të rinj.