Lulzim Basha në “Zonë e Lirë” ka shprehur sigurinë për fitoren në zgjedhjet e 25 Prillit.
“E kam nisur turin duke parë lotët e trishtimit, sot e kam mbaruar duke parë lot gëzimi”, tha Basha. “Ti e di që zgjedhjet në këtë vend në përgjithësi vidhen. Ç’është ky gëzim i madh? Me këto që po shohim këto ditë është një ambicie e madhe për t’i kapur”, i tha Çani Lulzim Bashës.
“Çfarë është ai gëzim? Është rikthim i shpresës, ata kanë besim tek ndryshimi. Prandaj them se do jenë zgjedhjet më masive në 30 vite histori. Përsa i takon vullnetit të shqiptarëve, jemi të gjithë bashkë të dielën për ndryshim”, u përgjigj Basha.
“A do ta marrësh pushtetin me ceremoni?”, e pyeti Arian Çuri Bashën. “Do pranoj çdo normë që na ndan nga kultura e këtyre 30 viteve, të hapemi drejt një kulture evropiane”, tha Basha. Gjithashtu, Basha ka ripërsëritur zotimin e tij se kur të vijë në qeveri, do ta kufizojë në dy mandate postin e kryeministrit.