Kryeministri Edi Rama u pyet gjatë konferencës me gazetarët se çfarë do ti ofronte Lulzim Bashës për t’u futur në zgjedhje dhe për të nisur dialogun.
Me humor Rama tha se do t’i ofronte kafe, çaj dhe ëmbëlsira, po në asnjë moment nuk mund të diskutonte mbi datën e mbajtjes së zgjedheve lokale, pasi ai nuk mund të prekte kurrsesi Kushtetutën e vendit.
“Kafe, çaj, ëmbëlsira…. Dialog pa kushte është të ulemi dhe të shohim çfarë mund të gjejmë diçka të përbashkët. Të gjejmë se cilat janë problemet dhe të diskutojmë se si mund ti zgjidhim.
Nëse ka gjëra që duhen adresuar, tani po bëj një udhëtim në imagjinatë, për zgjedhjet, shit-blerjen e votës, hajde shikojmë se si mund të dialogojmë, për këtë bëhet dialog. Nuk e kemi ne në dorë të negociojmë datën e zgjedhjeve, unë jam gati të dëgjojmë por nuk kemi gjë në dorë”, u shpreh Rama.
Edhe më herët kreu i qeverisë tha se nuk është detyra e Partisë Socialiste dhe qeverisë që të fusë në zgjedhje opozitën, pasi ata tashmë e kanë humbur trenin e 30 Qershorit.
‘’ Ka 1 mijë gjëra për të dialoguar, ata thonë që duan që Shqipëria të jetë më e mirë, atëherë le të ulemi dhe të diskutojmë. Autobusi i 30 Qershorit iku, se kur qe në stacion ne hypëm, ata jo. Treni i 2021 vjen shpejt, sepse dy vjet kaluan, kur ishte dita që bëmë marrëveshjen. Të premten bëjmë dy vjetorin, ata kanë shumë gjëra për të thënë për procesin zgjedhor”, tha më herët Rama.
Rama u pyet gjatë konferencës me gazetarët se pse Dakon dhe Sejdinin nuk i kandidoi ndërsa, Gëzim Topçiun në Maliq e rikandidoi për herë të 6-të dhe Adriatik Zotkajn në Poliçan për herë të 5-të.
Kryeministri u përgjigj se nuk ka thënë se ky vendim do të zbatohet në të gjitha bashkitë e vendit ku ndodh ky precedent duke përdorur justifikimin e zonave për çfarë flitet ku argumëentoi në njëfarë mënyre se sa më e madhe të jetë një bashki aq më shumë konsumohen drejtuesit e saj.
“Kur fola për Durrësin dhe Elbasanin e saktësova mirë që janë dy nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë. Nuk thashë që ne vumë kufi tre mandate për gjithë Shqipërinë. Në Francë ka kryetarë bashkie që kanë harruar kur janë zgjedhur për herë të parë. Kur i pyet mendohen. Nuk kam paragjykim për këtë dhe pse ne e kemi në ligj dhe ka filluar të funksionojë. Nuk kam qenë pro, por e kam pranuar dhe e kam votuar, ka qenë propozim i Bashkim Finos. Qytetet e mëdha janë histori tjetër. Ka qenë prej kohësh kërkesa e të dyve. Kanë qenë ata të parët që ma shtruar këtë shqetësim që boll”.
(F.GJ/FAXWEB.AL)