Ish-zëvendësministrja e Punëve të Brendshme Elona Gjebrea, këtë fushatë zgjedhore kandidon për deputete në listat e PS-së në qarkun e Tiranës.
Në një intervistë për dritare.net, Gjebrea flet edhe për marrëdhënien e saj me moderatorin e njohur Ardit Gjebrea, të cilin e ka djalë xhaxhai. Kujtojmë se lidhja e tyre familjare e afërt, ka rënë në sy vetëm pak kohë më parë.
Elona Gjebrea tregon se ka një marrëdhënie shumë të afërt me Arditin e të “Djelës shqiptare”, madje e konsideron si vëlla. Por pavarësisht kësaj, ai nuk do bëjë fushatë për të.
“Kam një marrëdhënie shumë te ngushtë. Bëhemi shumë si familje me xhaxhallarët dhe me tezet. Por, me Arditin kam një marrëdhënie shumë të veçantë. E konsideroj në fakt si vëlla. Është njeri me shumë vlera, që edhe ai e ka arritur pozicionin ku është me punë. Mendoj se ky është modeli që jepet në familjen Gjebrea. Çdo gjë arrihet me punë dhe sigurisht shpërblimin e ke të garantuar. Ka një familje të mrekullueshme. Takohemi shpesh kur i kemi mundësitë dhe e ruajmë këtë marrëdhënie edhe me fëmijët tanë, që të mos humb kjo traditë e bukur e Gjebreave, që të takohen dhe mbështesin njëri-tjetrin.”, tregon ajo.
“Arditi do të vijë në këtë lokal, ashtu siç i thatë pronarit, në fund të takimit?”, ishte një tjetër pyetje drejtuar ish-zëvendësministres, e cila thotë që do ta sjellë patjetër, por duke treguar se ai nuk do të bëjë fushatë për të.
“Arditi më ka premtuar, kështu që do ta sjell patjetër. Ai nuk do të bëjë fushatë për mua, por gjithsesi do të vijë për të respektuar ata njerëz të cilët e respektojnë dhe lënë çdo punë të ditës dhe dëgjojnë emisionet e tij me kohë të zgjatur. Arditi do të sjellë gjithmonë kënaqësi në familjet e shqiptarëve, qofshin ata të djathtë, apo të majtë, por në këtë rast nuk do të vijë politikisht, por për mua.”, tregon kandidatja e PS-së. (D.D/Shuplaka)