KQZ-ja ka vendosur heqjen e mandateve të dy deputetëve, Aqif Rakipit dhe Gledion Rehovicës me 5 vota pro.
KQZ-ja ka vendosur ndërprerjen e mandatit për dy deputetët, mandate të marra këto nga zgjedhjet e qershorit të 2017.
Vendin e tyre e zënë kandidatët për deputet Silva Caka për qarkun Berat dhe Dritan Bici në qarkun Elbasan.
Ky vendim është marrë pak minuta më parë. Kujtojmë që dy ditë më parë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i kërkoi Prokurorisë që t’i vendosë në dispozicion gjithë praktikën e ndjekur për dy deputetët, duke e cilësuar kërkesën si të paplotë në informacion. KQZ-ja i kërkoi infomacion shtesë Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me akuzat për dy deputetët.
Akuzat e Prokurorisë:
Në datën 22 dhjetor Interpol Roma solli të dhëna për dy deputetët.
Për deputetin e PDIU-së, Aqif Rakipi, Interpol Roma thotë se është proceduar për vjedhje me emrin Skënder Ejylbegaj. Vjedhja në fjalë ka ndodhur në 03.11.1998, kohë kur deputeti ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit se ka qenë emigrant në Itali.
Deputeti i LSI-së, Gledion Rehovica sipas Interpol Romës, është proceduar për vjedhje dyqani me emrin Kusta Mina në 27.02.1999, kohë kur vetë deputeti ka deklaruar se jetonte në Itali si student.
Të dy deputetët nuk deklaruan ndalimet në formular dhe as përdorimin e emrave të tjerë, çka sipas ligjit të dekriminalizimit përbën arsye për ndërprerje të menjëhershme mandati.(J.V/Faxweb)