Aleatët e Bashës vijojnë të këmbëngulin se qëllimi kryesor i reformës zgjedhore duhet të jetë ndryshimi i sistemit. Dy ditë më parë gazeta kontaktoi disa prej aleatëve të Partisë Demokratike, krerët e të cilave njëzëri pohuan se mbështesin ndryshimet zgjedhore. Ndërkohë që ditën e djeshme sa i takon kësaj çështje, ka folur edhe kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi.
Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, kreu i LZHK u shpreh i bindur se si Partia Demokratike, ashtu edhe Partia Socialiste reformën zgjedhore e mendojnë vetëm për vete, pasi sipas tij, atyre nuk iu interesojnë partitë e vogla, qofshin këto aleate me PS apo PD.
Megjithatë, ai i bëri thirrje dy partive më të mëdha, të cilat kanë edhe drejtimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore që ndryshimet zgjedhore t’i bëjnë në të mirë të gjithë partive politike, në mënyrë që të prodhohet një sistem i ri zgjedhor gjithëpërfshirës.
Madje, Shehi u shpreh i vendosur kur tha se nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh, ai sëbashku me partitë e tjera aleate të Bashës, do të rishikojnë raportet e tyre me PD.
“Deri tani dy partitë e mëdha që kanë edhe drejtimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore nuk kanë bërë asgjë dhe shpresojmë që debati të rihapet në vjeshtë. Mirëpo, duhet të dini edhe një gjë që si PD, ashtu edhe PS ndryshimet nuk i bëjnë për ne por mendojnë për veten e tyre.
Pra di të them se Partia Demokratike vetëm humbje do të ketë nëse mendon vetëm për vete, ashtu si Partia Socialiste. Megjithatë, shpresoj se kërkesat tona do të merren parasysh. Nga ana tjetër, mendoj se kjo nuk është punë parti të mëdha, apo parti të vogla por duhet t’i shërbejmë qytetarëve shqiptarë. Si përfundim ne do ta mbështesim reformën zgjedhore, duke shpresuar se do të bëhet një sistem i gjithë pranuar për të gjithë. Ndryshe ne do të rishikojmë pozicionet tona”, deklaroi deputeti i Partisë Demokratike.
Shehi: Ndryshimi i sistemit, domosdoshmëri
Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi theksoi më tej gjatë prononcimit për gazetën “SOT” se ndryshimi i sistemit zgjedhor është domosdoshmëri jovetëm për të dhe partinë që ai drejton, por edhe për aleatët e tjerë tradicionalë të PD. Në këtë kontekst, Shehi vuri në dukje faktin se nëse nuk ndryshon sistemi, sipas tij, gjithçka tjetër që do të prodhojë reforma zgjedhore do të jetë e kotë. Sipas tij, reforma zgjedhore do të ketë përmbushur misionin e saj, vetëm atëherë kur në Shqipëri të përmbyset sistemi aktual zgjedhor.
“Partia që unë drejtoj, madje ne si aleatë i mbështesim ndryshimet për reformën zgjedhore. Unë jam autori që kam gati 10 vjet që luftoj për reformën zgjedhore. Kështu që nëse nuk bëhen ndryshimet për reformën zgjedhore, kjo reformë është e kotë dhe e pa vlerë. Pasi reformë quhet vetëm kur ndryshohet sistemi. Në të njëjtën kohë unë mbështes fuqishëm edhe votimin elektronik. Por mos harrojmë që këtu tek ne po bëhet politikë me sistemin zgjedhor. Megjithatë, ju siguroj që ne e kemi kusht ndryshimin e sistemit zgjedhore, sepse është domosdoshmëri për ne si aleatë”, nënvizoi kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi.