Pas skandalit seksual në Hollywood, ku shumë aktore dhe personazhe të njohur denoncuan abuzimet seksuale nga ana e regjisorëve, një tjetër skandal ka dalë në dritë. Kësaj here bëhet fjalë për Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Britanikja “The Guardian” ka publikuar një artikull të gjatë ku tregohen disa nga aferat seksuale në zyrat e OKB-së në të gjithë botën dhe se denoncimet e grave kanë kaluar në heshtje të plotë.
Në një artikull ekskluziv “The Guardian” tregon se sulmet seksuale kanë lulëzuar në zyrat e Kombeve të Bashkuara anembanë botës, dhe se të gjitha akuzat e bëra nga gratë kanë kaluar në heshtje ndërsa zyrtarët e akuzuar lëvizin në gjendje të lirë, pa u ndëshkuar.
Shumë punonjës kanë treguar për reporterët se OKB ka patur një kulturë heshtjeje totale dhe se viktimat nuk i ka dëgjuar askush.
15 thanë se kishin përjetuar ngacmime seksuale gjatë pesë viteve të fundit. Ngacmimet sipas tyre kanë qenë verbale deri në përdhunim. 7 gra kanë treguar ndodhitë por nuk kanë denoncuar për shkak të frikës për vendin e punës.E para që ka folur ka qenë një konsulente për programin e ushqimit në botë.
OKB-ja ka pranuar se situata ka qenë shqetësuese dhe se OKB po e sheh me përparësi.
Punonjësit kanë treguar historitë për “The Guardian” në anonimitet, pasi bazuar në rregulloren e OKB-së nuk mund të flasin publikisht. Autorët, përfshijnë dhe një zyrtar të lartë në OKB, vazhdojnë të jenë në vendet e tyre të punës. Njëra nga gratë që ka denoncuar është hequr nga puna dhe thotë se është përdhunuar nga një zyrtar i lartë:
“Nuk ka mundësi për të marrë drejtësi, unë humba edhe punën time.”-thotë ajo.
Gruaja pretendon se pavarësisht ekzaminimeve mjekësore dhe dëshmive, OKB organizoi një hetim të brendshëm dhe nuk gjeti prova për rastin e saj.
“The Guardian” raporton se në dokumentet e brendshme që disponon, dy gratë pretendojnë se grupi hetues i OKB-së nuk mori në intervistë dëshmitarët më të rëndësishëm.
Burimi: The Guardian
Përshtati në shqip: (F.G/Faxweb)