Në kuadër të Ligjit të Dekriminalizimit Prokuroria e Përgjithshme do të kërkojë edhe shenjat e gishtërinjëve për 15 zyrtarë të lartë.
Organi kryesor i akuzës në vend bën me dije se ky verifikim është kërkuar kryesisht në rastet e ndërrimit të emrave që nuk janë deklaruar nga zyrtarët, por nga informacione të tjera kanë rezultuar se janë të njëjtët persona.
Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar për Ora News se, për një pjesë të subjekteve përgjigjet kanë mbërritur dhe ndaj tyre është vepruar, ndërsa për pjesën tjetër hetuesit janë ende në pritje të konkluzioneve.
Sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka në verifikim 570 zyrtarë nga të cilët 20 janë të nivelit të lartë, si deputetë apo të zgjedhur vendorë . Pjesa dërrmuesë janë përcjellë nga Departamenti i Administratës Publike duke qënë se kanë edhe numrin më të madh të subjekteve që vetëdeklarojnë në kuadër të ligjit për dekriminalizimin.Ndërsa pjesa tjetër ka ardhur nga institucione si KQZ , Presidenca, Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave.
Për rreth 40 raste është vendosur ndjekja penale pranë prokurorive të rretheve gjyqësore për veprën penale të “falsifikimit të formularëve”.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme pak ditë më parë KQZ i hoqi mandatet e deputetëve Shkëlqim Selamit dhe Dashamir Tahirit si dhe kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi. (A.R/SHUPLAKA)