Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu tregoi se disa hotele kanë filluar t’i nxjerrin jashtë njerëzit e prekur nga tërmeti. Në studion e “FaxNews”, ajo tha se kur emergjenca ka mbaruar, një pjesë e banorëve të strehuar në hotele kanë mbetur jashtë.
“Më kanë njoftuar dy qytetarë, hotelet po i nxjerrin nga hotelet sepse emergjenca nënkupton mbajtjen për një javë, 10 ditë. Nuk u morën masa. Ka akoma njerëz që banojnë në godinat e rrethuara me shiritin e kuq. Bashkia dhe qeveria mbajnë përgjegjësi.
Duhet që njerëzit të akomodohen në një vend tjetër. Lleshaj krijoi një polici speciale për ruajtjen e godinave, por duhet të nxjerrin jashtë banorët. Hotelet që kanë një lloj “feeling” me qeverinë, mund të përfitojnë nga fondet e qeverisë, ndërsa hotelet që kanë hapur dyert vetë nuk përfitojnë.
Në rrethina ka njerëz që kanë nevojë për ushqim, por edhe për veshmbathje. Ata kanë nevojë për gjithçka që mund të dhurohet”, tha Kadiu.
Për demokraten, situata pas tërmetit është vërtetë kaotike sepse qeveria nuk po ndërmerr hapat e duhur, por po tallet me njerëzit. Ajo e akuzoi kryeministrin Edi Rama se po bën shou çdo ditë me qytetarët.
“Deri para 2 ditësh kishim 400 banesa të pabanueshme. Një ekip i dytë do të përcaktojë nëse kjo banesë do të riparohet apo do të shembet. Pra, asnjë nga anëtarët e shtabit nuk janë në gjendje të thonë sesi duhet të veprojë banori.
E gjithë situata e krijuar është një katrahurë, ku gjithkush pret se çfarë do të thotë kryeministri, ndërkohë që kryeministri bredh sa në një vend, në një vend tjetër”, u shpreh Kadiu.
Ish-deputetja e PD komentoi edhe ftesat e Ramës për opozitën për bashkëpunim. Sipas saj, një takim kokë më kokë mes Ramës dhe Bashës nuk do të ishte frytdhënës.
“PD ekipin e saj të inxhinierëve e nxori në terren. Kur thuhet që PD nuk pranoi, është lojë fjalësh. Kjo nuk do të thotë që Lulzim Basha duhet të jetë në një tavolinë me Edi Ramën.
Çfarë mund të zgjidhin vetëm ata në një tavolinë kur të gjithë ekspertët ishin në terren. PD është në terren duke dhënë ndihmën e saj”, deklaroi Fatbardha Kadiu për “FaxNews”.
(M. I./ Faxweb.al)