Me rregullat e reja që pritet të miratohen ditën e hënë në Kuvend, bën pjesë edhe një rregull mjaft i veçantë i cili pritet tu vijë në ndihmë të gjitha grave deputete që janë nëna të reja.
Kështu, edhe në parlamentin shqiptar do të shohim deputetet që ushqejnë me gji fëmijët e tyre të vegjël, sikundër ndodh në shumicën e vendeve evropiane.
Në seancën plenare të së hënës në Kuvend pritet që të miratohet “Kodi i sjelljes së Deputetëve”, i cili do të përmbajë disa risi të propozuara nga deputetja Vasilika Hysi . Ky material i hartuar më parë nga OSBE, u riformulua nga PS. Ndryshimet e grupit të Partisë Socialiste janë depozituar ditën e djeshme në Kuvend. Këto rregulla janë në kuadër të etikës së deputetëve, a të mungesës së saj në radhët e tyre:
Ndalohet gjuha e urrejtjes në Parlament. Fjalët provokuese do të jenë rreptësisht të ndaluara nga deputetët dhe ata që fyejnë e kërcënojnë njëri tjetrin, duhet të kërkojnë falje.
Ndalohet votimi i deputetëve në emër të njëri-tjetrit. Do të ekzistojnë precedentë që formësojnë rregulla strikte se si votohet.
Deputetet mund të vijnë në Kuvend me fëmijë të porsalindur pasi do të krijohen hapësira të posaçme që të marrin pjesë nënat bashkë me foshnje.
Stafi i Kuvendit nuk duhet të përdoret për qëllime partiake, por secili të mbajë përgjegjësi për vendin e tij.
Deputeti nuk duhet të përtojë nga imuniteti i tij parlamentar për të shmangur arrestin, nëse ka një akuzë ndaj tij. Kjo shihet si një Emergjencë pas detyrimit që Brukseli dha për anëtarësimin e vendit në BE dhe si një risi për Kodin aktual etik të Deputetëve.