Silva Caka deputeja e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrimin deklaron se partia e saj duhet të dalë e vetme në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. E ftuar dje gjatë emisionit “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Caka tha se LSI ka një kontratë me qytetarët dhe si e tillë prova e madhe e saj është që në zgjedhje të dalë e vetme.
Por Caka sqaroi se ky është një mendim i saj personal pasi nuk ka asnjë vendim të forcës që ajo përfaqëson. “Ky është mendimi im personal që për mua do të jetë votë publike në forumet e LSI, por a do të fitojë mendimi im apo jo, këtë do ta ken në dorë forumet e partisë”, u shpreh deputetja.
Silva Caka është e para deputete e kësaj force politike që shprehet hapur për pozicionin që duhet të ketë LSI në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Në fakt ende nuk dihet se me kë do të bëjë koalicion LSI-ja në zgjedhet e ardhshme parlamentare. Nuk janë të paktë ata që thonë se LSI do vazhdojë koalicionin me PS por edhe ata që mendojnë se LSI do të bëjë koalicion me PD. (J.V/Shuplaka)