Një sherr mes prindërve të një vajze 14-vjeçare, ka bërë që e mitura të ndërhyjë për të ndalur përplasjen, por ka përfunduar e djegur në këmbë me ujin që ziente mbi sobën e drurit. Tashmë 14-vjeçarja ndodhet në në QSUT për të marrë ndihmën mjekësore.
Dhuna në familje ka mbizotëruar për vite me radhë në familjen Xhura në Durrës, e cila jeton mes varfërisë në Porto Romano.
Në banesë ka shkuar gjyshja 70-vjeçare e vajzës, e cila me lot në sy rrëfen se djali i saj Kujtimi, i cili është në kërkim nga policia, vazhdimisht konsumon alkool, si pasojë e problemeve të mëdha ekonomike që kalon kjo familje.
“Shtëpinë e gjeta hapur kur shkova. Nuk kishte njeri brenda. Im bir pi alkool e dehet. Këtë ai e bën nga mërzia, sepse nuk kanë punë, e kanë halle. Nuk e ka djegur i ati me dashje, është rrëzuar tenxherja sepse soba tundet sa andej-këndej. Këta janë fukarenj në pikë të hallit për bukë”, thotë 70-vjeçarja. Gjatë dëshmisë së saj në polici, nëna e 14-vjeçares Manushaqe Xhura ka rrëfyer ngjarjen, duke theksuar se djegia e vajzës ka qenë aksidentale. “Kujtimi ishte i dehur, më kërkonte para, por unë nuk pranoja t’i jepja. Ai nisi të më dhunonte. Vajza ndërhyri për të shuar sherrin. Kujtimi qëlloi me shkelm sobën e drurit, që gjendet në mes të shtëpisë dhe qëndron mbi katër tulla. Tenxherja me ujë të nxehtë u rrëzua mbi prehrin e vajzës”, ka rrëfyer nëna. (M.D/ Shuplaka)