Gjykata e Tiranës ka deklaruar të fajshëm një 36-vjeçar, të akuzuar për “ngacmim seksual” të motrës së tij të mitur. Sipas Gjykatës, i pandehuri Ilir S. ka ngacmuar familjaren e tij, të cilën e kishte motër vetëm nga njëri prind.
Referuar kallëzimit të të dëmtuarës, ngjarja ka ndodhur gjatë muajit maj 2016, kur i pandehuri e ka ngacmuar, duke mos ngurruar edhe ta prekë atë në pjesë të ndryshme të trupit. Pas ballafaqimit të provave, Gjykata vlerësoi të provuar akuzën e ngritur ndaj të pandehurit.
Ai u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg, dënim nga i cili përfitoi uljen e një të tretës për shkak të gjykimit të shkurtuar, shkruan Panorama. Në të njëjtin gjykim, ai u shpall fajtor edhe për akuzën e “vjedhjes”, episod i konsumuar në një banesë në kryeqytet, ku ai ka vjedhur një televizor dhe një telefon celular.
Sipas vendimit të Gjykatës, kallëzimi i 36-vjeçarit për “ngacmim seksual” është bërë nga motra e tij. E dëmtuara I.K. ka deklaruar se shtetasi Ilir S. e ka ngacmuar atë seksualisht disa herë në banesën e saj. Ajo ka rrëfyer se, për shkak se të pandehurin e ka vëlla vetëm nga njëri prind, ai ka shkuar të jetojë në banesën e të dëmtuarës dy muaj para kallëzimit.
‘’Marrë nga Panorama.’’