Gazetari Aulon Kalaja tha gjatë në studion e lajmeve të Fax Neës se grabitja e sotme është e paralajmëruar dhe e përsëritur, ndërkohë që argumentoi dhe hodhi dyshime të forta rreth autorëve të vërtetë të saj si dhe adresës për ku janë nisur ato para.
Kalaja nuk la pa përmendur edhe çështjen e sigurisë në vend, duke u shprehur se aeroporti supozohet të jetë vendi më i sigurtë ndërkohë që sipas tij paratë mund të jenë drejtuar për tek njerëzit e fortë me pistoleta në brez që blejnë vota.
“Është një grabitje që duhet thënë se është e paralajmëruar dhe e përsëritur disa herë. Sasia e parave është mjaft e madhe, dhe të godasësh një aeroport të tillë goditet një nga arteriet më të fuqishme të sigurisë. Në çdo vend të botës aeroporti është i shenjtë sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me shtetas shqiptarë, por me udhëtarë që mund të jenë nga vende të ndryshme të botës.
Kryeministri dhe autoritetet duhet të tregohen transparent, që të tregojnë sa para janë vjedhur, sa persona kanë marrë pjesë në grabitje. Ministri i Brendshëm të mos merret me kundërshtarët politik sepse ka peshën kryesore të ngjarjes.
Duhet thënë se në një kohë të tillë para zgjedhjeve, kemi pasur një fushatë të tillë grabitjeje, se ku shkojnë këta para dhe për çfarë përdoren këto para… Destinacioni nuk është vetja e tyre (e grabitësve) është diku tjetër, mbase ata që kanë grabitur paratë nuk e dinë fare se për sa bëhet fjalë. Vetëm banka e di se sa para kanë humbur. Nuk është çudi që këto para të shkojnë për të blerë vota, pra merren para dhe iu çohen në dorë kriminelëve që të blejnë vota, dhe nuk mund ta bëjë kushdo, vetëm ata që mbajnë pistoleta në brez mund ta bëjnë. Kjo nuk është e thënë nga unë, e kanë thënë provat e bëra publike nga dosjet 339 dhe 184”, deklaroi Kalaja.
Ai foli në vija të përgjithshme për situatën në vend ku nuk la pa përmendur atë që po ndodh me banorët e Bregut të Lumit, ato të Astirit si dhe për ndërtimin e një shkolle në fidanishten tek Universiteti Bujqësor i Tiranës, duke kritikuar ashpër sjelljen e policisë dhe autoriteteve përkatëse.
Gazetari tha gjithashtu se janë bërë vazhdimisht arrestime të paligjshme të protestuesve ku përmendi edhe komunikimin midis një studenti dhe kryeministrit Rama, duke argumentuar se kanë arrestuar babain e tij vetëm se studenti e quajti atë Kadri.
(F.GJ/FAXWEB.AL)