Është arrestuar autori i vrasjes së 35-vjeçarit Gjergj Almazi në Gjirokastër. Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se autor i ngjarjes është një 23-vjeçar i identifikuar si Pariz Xhihani, ndërkohë që ngarja e rëndë ka ndodhur për shkak të një përleshje mes të rinjve. Mësohet se ngjarja ka ndodhur për motive banale.
Autori i ngjarjes në momentin kur ka ndodhur ngjarja ka qenë i shoqëruar nga vëllai dhe nipi i tij, të cilët po ashtu janë arrestuar nga ana e Policisë, ndërkohë që viktima dyshohet se ka qenë i dehur në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Ai i ka ofenduar autorët, dhe për këtë shkak dyshohet se ka nisur dhe konflikti.
Xhihani mësohet se e ka qëlluar me grusht në kokë viktimën, i cili ka përfunduar në bordurën e rrugës, dhe ka humbur menjëherë jetën. Si viktima ashtu dhe autori i përkisnin komunitetit rom.
Njoftimi: Zbardhet në kohë rekord ngjarja e ndodhur mbrëmjen e datës 15.07.2020, në lagjen “Zinxhira”, ku humbi jetën 35-vjeçari Gj. A. Kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari, autori i ngjarjes. Arrestohet dhe një shtetas tjetër, për moskallëzim krimi, si dhe procedohen në gjendje të lirë dy të tjerë.
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në lagjen “Zinxhira”, Gjirokastër, ku pas një konflikti të çastit mes dy shtetasve humbi jetën shtetasi Gj. A., 35 vjeç, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes.
Falë punës së mirorganizuar hetimore u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi i autorit, kapja dhe shoqërimi i tij në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. Xh., 23 vjeç, banues në lagjen “Zinxhira”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin Gj. A., duke i shkaktuar vdekjen.
Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi A. A., 18 vjeç, si dhe u proceduan penalisht shtetasit N. Xh., 16 vjeç dhe V. M., 14 vjeç, banues në lagjen “Zinxhira” , për veprën penale “Moskallëzim krimi”, pasi kanë qenë të pranishëm në momentet që ka ndodhur krimi dhe nuk e kanë kallëzuar atë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.