Detaje të reja kanë dalë mbi vrasjen e ndodhur në zonën e Laknasit gjatë ditë së sotme. Një 70-vjeçar Maliq Marku ka qëlluar me armë zjarri ndaj dy shtetasve, duke lënë të vdekur 55-vjeçarin Shefqet Hasa dhe duke plagosur Besim Kaçan 50 vjeç.
Ky i fundit ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa autori është vënë në pranga.
Siç bëhet me dije të 3 shtetasit kanë qenë komshinj me njëri-tjetrin në Laknas. Konflikti mes tyre ka qenë i çastit dhe mësohet se shkaku ka qenë kanali i ujërave të zeza që kalonte pranë banesës së 3 personave.
Sakaq autori pas vrasjes u fut në banesën e tij ku u arrestua nga policia.
“Kemi marrë njoftimin për ngjarjen kriminale dhe menjëherë kemi arrestuar autorin e ngjarjes, Maliq Marku, 70-vjeç. Autori i vrasjes u arrestua në banesën e tij. Rezulton se një person është vrarë dhe tjetri ndodhet në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Konflikti raportohet se ka qenë për motive të dobëta.
Arma tip kallashnikov ishte pa leje dhe u kap në banesë. Bëhet fjalë për një kanalizim të ujërave të zeza që ndodhet pranë banesave të personave të përfshirë në konflikt”, tha shefi i Komisariatit të Kamzës.