Një masakër mjedisore është denoncuar pranë Fax News nga disa banorë që jetojnë pranë Liqenit të Farkës në Tiranë. Sipas banorëve, firma “Al Point”, me pronar Aleksandër Vasili, i cili është dhëndri i ish-ministrit të Brendshëm, Kujtim Qefalia, po punon për ndërtimin e një kompleksi vilash pranë liqenit.
Për Fax News, me gazetaren Sedjana Huna, banorët kanë shprehur shqetësimin dhe revoltën e tyre lidhur me situatën. Edi Gjana, një nga banorët e Farkës, tha se banesa e tij ndodhet pranë rrugës së shembur. Ai tregoi se firma “Al Point” u kishte garantuar siguri gjatë kryerjes së punimeve dhe se nuk do të kishte probleme, por realiteti ka qenë ndryshe.
Meush Skeja, një tjetër banor, ishte ai që bëri denoncimin në polici pas shembjes së avllisë së tij, gjë që përkohësisht ndaloi punimet. Megjithatë, 2-3 ditë më vonë punimet rifilluan dhe gërryerjet vazhduan, duke vënë në rrezik avllinë dhe shtëpinë e tij.
“Ne nuk jemi kundër punimeve, por duam sigurinë e jetës sonë dhe të familjeve tona. Populli nuk duhet të pësojë dëme. Nuk e dimë saktësisht çfarë do të ndërtojnë, por nuk duam që kjo të na shkaktojë pasoja të rënda. Dëmi që na është bërë tani kërkojmë të kompensohet, dhe firma duhet të japë llogari. Nuk dimë nëse këto punime janë bërë sipas rregullave apo në rrugë të tjera. Thirrja jonë është që të punojnë me ndershmëri dhe sipas ligjit. Gabimet që bëjnë duhet të kontrollohen nga qeveria,” u shpreh Gjana.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për të parandaluar pasojat e mëtejshme dhe për të siguruar që ndërtimet pranë liqenit të kryhen me transparencë dhe sipas rregullave mjedisore.