Shpallja e një tenderi nga Bashkia e Tiranës për dhënien me koncension ndërtimin dhe mirëmbajtjen e 5 shkollave ka hasur në kundërshtinë e fortë të ekspertëve.
Sipas tyre, kjo praktikë, për të cilën qeverisë shqiptare i është tërhequr “veshi” edhe nga FMN, do të rrisë në mënyrë artificiale borxhin e qeverisë shqiptare, ndërsa e konsiderojnë të padrejtë që pasardhëse t’u lihen kaq shumë barra fiskale për t’u paguar.
Tenderi i Bashkisë
Bashkia e Tiranës ka vendosur të aplikojë formulën e shumëdebatuar të partneritetit publik-privat, të koncensionit edhe për shkollat. Fondi i vënë në dispozicion është 1.9 miliardë lekë të reja pa TVSH, të cilat do të paguhen nga bashkia e Tiranës dhe Ministria e e Arsimit dhe do të shkojnë për projektim, ndërtim, mobilim, mirëmbajte, mbikëqyrje dhe kolaudim.
“Open Data” publikoi në fillim të muajit nëntor, tenderin e Bashkisë së Tiranës që njoftonte se kishte hapur garën për ndërtimin e 3 objekteve shkollore në njësinë administrative 11 dhe dy objekte arsimore në njësinë administrative nr. 9. LEXO LAJMIN NË FAXWEB: https://faxweb.al/edi-rama-ben-bashke-veliajn-nikollen-cili-eshte-koncesioni-fundit-plot-15-miliarde-leke/
Refreruar të njëjtit njoftim të bashkisë së Tiranës thuhet se “Kompania Koncesionare që do të krijohet pas lidhjes së kontratës së Koncesionit do të likuidohet tërësisht për totalin e shumës së investuar (shpenzuar) në një periudhë kohore prej 7 vitesh nga data e dorëzimit të objekteve duke i përllogaritur edhe një rimbursim për marzh fitimi në masën 6.28 % në vit.
Koncesionari do të përballojë me të ardhurat e veta të gjithë investimin për projektimin ndërtimin mobilimin pajisjen me laboratorë, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin si dhe vënien në funksion të tyre. Pas ndërtimit dhe vënies në funksion të objekteve arsimore, koncesionari/PPP do të mirëmbajë objektet për një periudhë 7 (shtatë) vjeçare, ndërkohë që objektet shkollore duhet të përfundojnë brenda 18 muajve duke filluar që nga momenti i nënshkrimit të kontratës koncensionare”.
Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit që është njëkohësisht edhe data e zhvillimit të tenderit për dhënien me koncension të shkollave të Tiranës, eshtë caktuar data 27 dhjetor, kur dihet se vëmendja e njërezve është tek festat e fundivitit, duke i shtuar edhe më shumë hijet e dyshimit rreth mënyrës se si do të zhvillohet kjo procedurë.
Ekspertët kundër
Aplikimi i kësaj formule kundërshtohet nga ekspertët e ekonomisë dhe politikave fiskale. Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, e sheh këtë si një praktikë që ia delegon barrën e borxhit qeverisë pasardhëse.
“Çdo parlament, si ai i bashkisë pra Këshilli Bashkiak, qoftë ai i qeverisë, është zgjedhur për të qeverisur për një periudhë 4-vjeçare, kështu që edhe projektet e mëdha strategjike duhet të jenë brenda këtij mandati. Por ky është një koncension që është parashikuar që të nisë pasi të mbaojë mandati i kryetarit aktual të bashkisë dhe kjo nuk është e drejtë. Ndaj unë e shoh këtë koncension si një shtim artificial të borxhit publik, pavarësisht se nga ku do të dalin fondet nga qeveria apo nga bashkia”, thotë për Citizens Channel Preçi.
Sa i përket konkretisht këtij koncensioni Preçi thotë se ai duhet parë me shumë kujdes. “Duhet parë transparenca e projektit, sa konkurues do të jetë ai që do të fitojë, çfarë kostosh do të ketë sepse rrezikon të bjerë në një tender të zakonshëm dhe në këtë rast mundësia për korrupsion dhe paracaktimin e fituesit janë të mëdha, – sqaron Preçi. – Unë e shikoj këtë vetëm si rritje të panevojshme të borxhit, pasi periudhat e ndërtimit të shkollës dihen dhe nuk është nevoja që të lësh pasardhësve borxhe”, përfundon ai.
Selami Xhepa, ekspert i njohur i ekonomisë është shumë drastik sa i përket formulës së përzgjedhur, ashtu si edhe kostove që ajo do të ketë. “Kjo formulë shihet si e shumë e dyshimtë për vende në tranzicion si ky i yni dhe rekomandohet apo aplikohet vetëm në ato vende ku nivelet e korrupsionit janë thuajse zero, ndaj për mua është një nisje e gabuar që në fillim. Për mua nuk duhej të ishte aplikuar fare kjo formulë, ka plot zgjidhje të tjera përpara se të arrish tek PPP-të. Së dyti, ky koncension nuk do të bëjë tjetër, vetëm se do t’i shtojë një tjetër barrë për t’u paguar taksapaguesve shqiptarë. Ndaj unë jam kundër një formule të tillë që do të rrisë edhe më, në mënyrë fiktive dhe të paargumentuar, borxhin e shqiptarëve sepse në fund të ditës do të jenë taksapaguasit që do ta mbajnë mbi kurriz”, na thotë Selami Xhepa.
Suzana Guxholli, një ndër ekspertet më të afërta të ish-kryeministrit Berisha, nuk e sheh të keqen tek formula e përdorur, por tek transparenca dhe mënyra se si do të menaxhohet ky koncension.
“Kjo është një formulë e njohur dhe rregullat dhe kriteret janë të përcaktuara dhe duhen, ndaj unë nuk e shoh me skepticizëm këtë formulë. Për mua ka dy pika kyçë: e para është transparenca, pra sa transparente do të jetë bashkia kundrejt kësaj procedure dhe e dyta: ky koncension do të jetë një tjetër barrë që i shtohet borxhit publik. Për mua bashkia e Tiranës është treguar shumë e zgjuar që ka futur garant Ministrinë e Arsimit për t’i paguar këtë borxh, por në fund të ditës këto para nuk do t’i pagujanë vetëm qytetarët e Tiranës, por do t’i paguajnë të gjithë shqiptarët. Sepse logjika e koncensionit kjo është: që qeveria merr borxh për të likujduar koncensionarin dhe përveç kostove i paguan atij edhe një interes, por kjo nuk bën gjë tjetër veçse rrit edhe më borxhin publik. Pikërisht kjo është “thembra e Akilit” që e kanë kritikuar me forcë edhe ndërkombëtarët”, shpjegon Guxholli për Citizens Channel.
FMN dhe Banka Botërore kundër koncensioneve
Në fillim të muajit tetor Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka tërhequr veshin qeverisë shqiptare sa i përket “zemërgjerësisë” së saj për të dhënë çdo shërbim me koncension. Ekspertët e FMN-së i sugjeruan qeverisë shqiptare që të jetë më e kursyer në dhënien e koncensioneve dhe i kërkuan që të regjistrojë si borxh publik, dhe jo të fshehur, detyrimet që rrjedhin nga koncesionet sipas praktikave që ndiqen në vendet e Bashkimit Europian.
“Plani ambicioz i qeverisë për PPP-të ngre rreziqe substanciale. Në kundërshtim me praktikat aktuale, efektet e koncesioneve në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të pasqyrohen në mënyrë transparente dhe sipas praktikave ndërkombëtare”, vërente FMN. Sipas vlerësimeve të FMN-së, nëse do regjistroheshin tërësisht, kontratat aktuale të koncesionit do e rrisnin borxhin publik me 7 pikë përqindje nga niveli aktual.
Në të njëjtën linjë me FMN, janë edhe ekspertët e Bankës Botërore. Vetëm një javë më parë, gjatë prezantimit të raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, ekspertët u shprehën se PPP-të janë një instrument i rëndësishëm kudo në botë, por ata duhet të përdoren vetëm në projekte madhore, siç janë hekurudhat. “Ne rekomandojmë që këto kontrata të trajtohen në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ministria e Financave duhet të forcojë kontrollin mbi PPP-të edhe për shkak të detyrimeve që rrjedhin nga ligji organik i buxhetit”, u shprehën ekspertët e BB-së.
Shkollat e Tiranës, deri në 65 nxënës për klasë
Ndërsa çdo vit premtohet se nuk do të ketë mësim me turne, një pjesë e madhe e shkollave të Tiranës vazhdojnë të vujanë mbingarkesën. Në studimin e fizibilitetit që ka hartuar Bashkia e Tiranës për dhënien me koncension të shkollave, ka bërë edhe një skanim të situatës së infrastrukturës së shkollave në Tiranë, që është shumë larg standardeve të premtuara.
Mbipopullimi mbetet një nga problemet kryesore. Aktualisht, sipas Bashkisë, në Tiranë gjenden gjithsej 191 shkolla publike. Nga llogaritjet e bëra rezulton se 61 shkolla kanë më shumë nxënës se sa kapaciteti i tyre maksimal dhe 57 shkolla e zhvillojnë mësimin me dy turne. Në total, në Bashkinë Tiranë janë 14.292 nxënës mbi kapacitetin maksimal të infrastrukturës arsimore dhe 14.919 nxënës që e zhvillojnë mësimin gjatë turnit të dytë.
Kështu sipas studimit të fizibilitetit të Bashkisë së Tiranës, dendësia e klasave ka një mesatare që varion nga 36.5 nxënës/klasë fizike në zonat urbane, në 18.8 nxënës/klasë fizike në zonat rurale, ndërkohë që maksimumi i parashikuar është 30-35 nxënës për klasë. Madje në disa shkolla kjo mesatare arrin deri në 65.8 nxënës/klasë fizike, duke e bërë mësimin me turne të vetmen zgjidhje.
Për më tepër, këto të dhëna tejkalojnë ndjeshëm mesataren e rekomanduar nga BE, apo atë të niveleve të vendeve fqinje, siç raportohet nga OECD.
Njësitë më problematike sa i përket këtij raporti janë njësia nr. 6 që ka një raport 49.8 nxënës për klasë fizike; njësia nr. 10 me 41.5 nxënës për klasë fizike, njësia nr. 9 me 40.6 nxënës për klasë fizike, për të vazhduar me njësitë nr. 2, nr. 5, nr. 8 dhe nr. 11 që kanë tëgjitha një raport prej mbi 35 nxënës për klasë fizike.
Situata e mbipopullimit të shkollave paraqitet problematike edhe në lidhje me numrin e nxënësve për klasë fizike në shkollat e mesme. Njësitë administrative që e vuajnë më shumë këtë problem janë Njësia nr. 2 me një raport prej 50 nxënësish për klasë fizike dhe Njësia nr. 9 ku ky raport është 46.5 nxënës për klasë fizike. Edhe njësite e tjera administrative si, Njësia nr. 7, 6, 5, 10 dhe Farka janë të prekura nga ky problem, ndonëse në një shkallë më të moderuar.
Në Bashkinë Tiranë, në zonën urbane 66% e shkollave 9 vjeçare dhe 14.2% e shkollave të mesme zhvillojnë mësimin me dy turne. Konkretisht njësitë më problematike në këtë aspekt mbeten: Njësia 2 (me 63 klasa mësimore të ciklit 9-vjeçar dhe 18 klasa mësimore të ciklit të mesëm që operojnë gjatë turnit të dytë); Njësia 6 (me 72 klasa mësimore të ciklit 9-vjeçar që operojnë gjatë turnit të dytë) dhe; Njësia 9 (me 50 dhe klasa mësimore të ciklit 9-vjeçar dhe 17 klasa mësimore të ciklit të mesëm që operojnë gjatë turnit të dytë).
Një tjetër problem që konstatohet në këtë studim fizibiliteti të përgatitur nga bashkia e Tiranës, janë edhe shtesat e reja të shkollave. Ndërsa vihet theksi se ata e kanë shfryrë disi situatën e mbipopullimit dhe mësimit me turne, nga ana tjetër këto shtesa kanë reduktuar sipërfaqen e oborreve, ambienteve sportive të jashtme apo hapësirave të gjelbërta.
“Mbi 90% e shkollave të Tiranës evidentohet të kenë mangësi përsa i përket sipërfaqeve dhe cilësisë së ambienteve të jashtme (oborreve), gjë e cila ndikon në cilësinë e përgjithshme të performancës së nxënësve në shkollë. Përvec kësaj, në një numër të konsiderueshëm të godinave vihen re mungesa të elementëve të sigurisë së nxënësve, mbrojtjes nga zjarri, e pjerrinave për personat me aftësi të kufizuar, çka evidenton edhe më tej problemin e gjithëpërfshirjes dhe aksesueshmërisë së limituar të shkollave në Tiranë. Ndaj ndërhyrje të kësaj natyre, rezultojnë të kenë ndikim të limituar dhe afatshkurtër në zgjidhjen e problemeve të mbipopullimit të shkollave, duke e bërë të domosdoshme nevojën për të planifikuar dhe realizuar ndërhyrje në zgjidhje më afatgjata dhe të qëndrueshme”, thuhet në këtë dokument të bashkisë./ Citizens Channel