Nazif Lekli është një nga banorët e Astirit të cilit rrezikon që t’i prishet banesa dhe biznesi për shkak të projektit të Unazës së Madhe.
Në një intervistë për gazetaren e Fax News Mirilda Tili ai tregon se 500 metra truall i ka blerë që në vitin 2000 dhe asokohe është konsultuar dhe me inxhinierë të rrugës, të cilët i kishin thënë se projekti i Adil Çarçanit nuk prekte më shumë se 26 metra nga aksi.
Dhe Nazifi në respekt të asaj që i kishin thënë e ndërtoi shtëpinë dhe biznesin 26 metra larg aksit ekszistues të rrugës, i përgatitur për çdo ndryshim që projekti mund të pësonte.
“Kam ardhur nga Kodër Kamza në vitin 1996. Tokën e kam marrë me qera për katër vite, më pas në 20 Shkurt të 2000-shit e bleva. Kam edhe aktin noterial, kur erdha inxhinieri i rrugës më tha ‘’ne do të masim 26 metra nga aksi sepse ka një projekt që parashikon zgjerimin e zonës”, dhe më tha se ky ishte projekti që do të zbatohej për 20-vitet e ardhshme.
Unë erdha këtu për të qenë afër, dhe e pashë të arsyeshme dhe që mund të bëja diçka për biznesin tim. Bëra shtëpinë dhe biznesin sipas rregullit dhe sipas ligjeve të kohës. Në 2004 erdhën dhe na thanë që do prisheshin të gjitha, po nuk na kanë dhënë asnjë shpjegim se pse. U ngritëm në 2004-trën dhe në përkrahën edhe deputetët e zonës, po emrin nuk dua ta them, dhe falë asaj proteste i kemi edhe sot shtëpitë tona.
Ne jemi moll sherri se dikush e ka lakmuar këtë vend prej vitesh, rripi i gazës e përdorim ne ndryshe etiketimin për këtë zonë. Me kalimin e kohës nuk na shqetësoi më njeri deri sot, ky projekt që na prezantohet sot nuk na jepej asnjëherë. Ne jemi të gjithë me letra, këto letra ata nuk po i zënë fare për bazë. Po na llogarisin me 300 mijë lekë metrin, po ja fusin kot, se këtu nuk lëshon njeri tokë për pallat pa 700 euro metri katror.
Me këtë VKM ne jemi të djegur. Nuk ka qenë ky projekti i Adil Çarçanit, se nuk e llogariste ai siç thonë këta që do të kishte lëvizje nga 1 milion automjete”, shprehet Lekli për Fax News.
Më tej banori tregon se në 2005-tën ai ka future letrat për të marrë legalizimet, si për shtëpinë si dhe për objektin e tij të biznesit, mirëpo me kalimin e kohës arriti të siguronte certifikatë pronësie vetëm për banesën.
“Në vitin 2005 futa letrat për legalizimin e banesës dhe të shtëpisë. Certifikatën e shtëpisë e mora, ndërsa për biznesin më tha ‘’duhet të presësh se janë shtrenjtë bizneset aty”, nëse kjo do lidhej me projektin atëherë nuk do më ishte legalizuar as shtëpia. Vetëm pardje më ka ardhur skualifikimi për biznesin, 105 metra dyqan ma lanë pa letra”, tha më tej Lekli.
“Ne e kemi thënë që nuk jemi kundër rrugës, po të na japë ne që jemi me letra dëmshpërblimin sipas tregut, dhe të tjerëve t’iu japë shtëpi. Unë kam rreth 400 metra truall banese dhe 100 metra dyqan, që me vlerën e tregut vlerësohet 4 mijë euro metri katror.
Njerëzit janë nëpër festa, dhe këta na sjellin dokumentet e skualifikimit. Më kanë skualifikuar pronën ndërkohë që më kanë vënë emrin e një personi tjetër. Shkresa mban emrin e Enver Shukri Pirrës.
I them kreut të Bashkisë së Tiranës se jemi dhe nga një anë, që më bllokoi për një vit e gjysmë të hyja dhe në shtëpi, që ne skemi punë as me politikë dhe as me një gjë.
Ne do të vazhdojmë me protestat tona, duam një përgjigje nga Bashkia apo qeveria, kushdo që e ka kompetencën sot. Mbështetjen e opozitës e kemi kërkuar vetë, vetëm televizioni juaj vinte dhe askush nuk po na vinte. Erdhi opozita dhe e falenderojmë shumë”, vijoi më tej Lekli.
(E.K/FAXWEB.AL)