Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni u kritikua ashpër pas gjuhës fyese ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha, të cilin e cilësoi ‘autik’ dhe ‘plak matuf”. I menjehershëm ishte edhe reagimi i themelueses dhe drejtueses së fondacionit “Down Syndrome Albania”, Emanuela Pepkola Zaimi, e cila tha se do të bënte të pamundurën që deputeti socialist të japte dorëheqjen.
Por në Bullgari i njëjti precedent, i ka kushtuar postin zv/kryeministrit Valeri Simeonov. Gjatë fjalës së tij, ai tha se nënat përdorin fëmijët e tyre për të përfituar të mira materiale.. E menjehershme ishte edhe vala e protestave kundrejt tij, duke kërkuar shkarkimin nga posti të Simeonov.
”Jap dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministrit të qeverisë bullgare”, deklaroi për median, dy ditë më parë Simeonov. Zyra e shtypit e qeverisë bëri të ditur nga ana e saj se dorëheqja u pranua nga kryeministri, konservatori Bojko Borisov.
Nënat e fëmijëve protestonin çdo mbrëmje në Sofje prej disa javësh për të kërkuar dorëheqjen e zëvendëskryeministrit. (J.D/Faxweb.al)