Kreu i grupit parlamentar i Lëvizjes Sociqaliste për Integrim, Petrit Vasili deklaroi gjatë një interviste për Televizionin Fax News se nuk e di opinionin e deputetit Lefter Koka në lidhje me djegien e mandateve sepse nuk ka qenë i pranishëm në mbledhjen e ditës së djeshme.
“Nuk kemi një komunikim me zotin Koka për shkak se nuk ka qenë i pranishëm në mbledhje gjatë ditës së djeshme. Nuk kemi patur asnjë komunikim me të. Ne komunikojmë në grupin parlamentar dhe nuk komunikojmë në media. Teknikalitetet nuk kanë asnjë rëndësi”, – tha Vasili.
Sipas Vasilit, vendimi për të djegur mandatet e deputetëve është një nga vendimet politike më të forta që është marrë ndonjëherë në vendin tonë.
Ai tha se shteti i së drejtës nuk funksionon dhe këtë e kanë dëshmuar sipas tij aferat e zbuluara deri më tani.
“Shteti i së drejtës nuk funksionon, kemi parë afera korruptive të hapura. Kemi një kryeministër që ka lindur përmes votave të blera”.
Këtë e ka dëshmuar edhe një media e Departamentit Amerikan të Shtetit, siç është Zëri i Amerikës”.
Deputeti i LSI-së komentoi edhe protestën e 16 shkurtit duke e quajtur si madhështore dhe që vendosi edhe për vendimarrjen që do të merrte opozita për djegien e mandateve.
“Shqipëria kurrë nuk ka qenë me një numër aq të vogël shtetasish që jetojnë këtu dhe nuk ka parë kurrë një protestë më të madhe me aq shumë pjesmarrës. Shumë dronë mbetën pa punë. Për herë të parë edhe llafazanët më të mëdhenj të paguar natyrisht nuk kishin diçka për të thënë sepse pjesmarrja ishte masive dhe dha një mesazh të qartë”, – tha Vasili.
Ai shpjegoi edhe arsyen themelore sipas tij se pse nuk mund të jenë më pjesë e Parlamentit duke thënë se opozita nuk mund të pranojë një bashkëndarje të Parlamentit kur nuk zbatohen të drejtat parlamentare të opozitës.
(F.GJ/FAXWEB.AL)