Berisha sulmon Spiropalin nëpërmjet dokumenteve që sipas tij vërtetojnë se miliona euro janë vjedhur në kohën kur Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave ishte Elisa Spiropali.
Ky denoncim është publikuar një ditë më parë nga ish- Kryeministri, Sali Berisha, sipas të cilit informacionin ia ka dërguar një doganier.
Denoncuesi dixhital (siç e quan Berisha) thotë se në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, javët e fundit ka mbërritur një dokumentacion nga Greqia që vërteton abuzimet e bëra në kohën e Spiropalit. Abuzim që shkon deri në miliona euro, të përfituara nga mallra kontrabandë.
“Informacioni i shoqëruar dhe me dokumentacionin përkatës vërteton abuzimin e bërë në dogana në vlera prej qindra, mijëra e miliona eurosh. Ashtu siç ju keni konstatuar dy vite më parë, njerëz të lidhur me Spiropalin në bashkëpunim dhe me bashkëshortin e saj, kanë krijuar kanale për kalim të mallit kontrabandë. Siç del nga informacioni i doganës greke, dy kanë qenë doganat ku është abuzuar më shumë: Fieri dhe Tirana. Në të dy këto dogana u instaluan si përgjegjësa FRESH-istë, të cilët zbatonin porositë e marra nga Spiropali ose persona të punësuar prej saj në poste kyce. Persona anonimë që bashkëpunonin me ta, kryesisht fierakë, hapën nipte shëtitëse dhe fusnin mallra kontrabande. Me qëllim realizimin e kësaj veprimtarie kriminale, sallës së monitorimit i jepeshin porosi për të mos ushtruar kontroll mbi mjetet të cilat kishin si ngarkesë, mallra kontrabande që klasifikoheshin komplet ndryshe nga ato të deklaruara në dokumentacion.”
Në shkrimin e publikuar nga Berisha thuhet se mbi doganierët është ushtruar presion nëse nuk e kryenin detyrën siç u thuhej, madje ka patur edhe largime nga puna.
“Presioni mbi doganierët ka qenë i jashtëzakonshëm dhe në ndonjë rast kur ata tentonin të kryenin si duhet detyrën largoheshin nga puna, siç është rasti i largimit të një drejtuesi në doganën e Kapshticës që u bë i ” bezdishëm” me kontrollet e tij.”
Pritet që nga dogana greke të vijë informacion dhe për raste të tjera shkeljesh të kryera në kohën e Spiropalit.