Në një takim me përfaqësues të koalicionit të vëzhguesve vendor ambasadori amerikan Donal Lu i shoqëruar nga ambasadorja e BE-së Vlahutin ka vijuar të japë disa mesazhe të forta përsa i përket kapjes së sistemit të drejtësisë.
Sipas tij ka një grup njerëzish të fortë që po vazhdojnë të mbajnë kontrollin e tyre mbi Gjykatat. Madje ai ka vijuar më tej duke akuzuar dhe Prokurorinë e Përgjithshme pasi në shortin e Këshillit të emërimeve në Drejtësi solli vetëm 3 kandidat duke përcaktuar kështu edhe përzgjedhjen.
‘’Të premten e shkuar, siç kërkohet nga Kushtetua e re, u hodh shorti për anëtarët e Këshillit Emërimeve në Drejtësi që do të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit. Shorti u drejtua nga sekretarja e Kuvendit, bazuar në Kushtetutë. Por prokurori i Përgjithshëm solli një liste vetëm me 3 anëtarë. Kushtetua përcaktonte se anëtarët duhet të përzgjidheshin me short, dhe secili solli listat më të gjata për këtë pozicion. Në dallim me to, prokurori i Përgjithshëm zgjodhi vetëm 3 emra, përzgjedhur pa preferencë për të plotësuar 3 poste. Javën e ardhshme do të vijnë gjykatës dhe prokurorë nga SHBA-ja dhe BE-ja.’’, ka thënë Lu.
Në këtë mënyrë ai ka paralajmëruar mbërritjen në vendin tonë dhe të ekspertëve të huaj që do të vazhdojnë të monitorojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi.
Ndërkaq një ccështje tjetër që u përmend ishte dhe ndërhyrja në serverat e ILDKPI-së. Prokuroria urdhëroi nëntorin e kaluar bllokimin e arkivës së ILDKPKI pasi hapi hetime me nismë të vet kundër kreut të këtij institucioni Shkëlqim Ganaj me argumentin se ka dyshime që ky i fundit ka shkelur ligjin pasi nuk ka hetuar në mënyrë administrative rastet e dyshuara të konfiktit të interesit të disa deputetëve që kanë kryer marrëdhënie biznesi me shtetin.
Ndërhyrja e pazakontë e Prokurorisë dhe kërkesa për të bllokuar të gjithë arkivën fizike dhe elektronike të ILDKPKI-së u pa si një përpjekje për të bllokuar përdorimin e kësaj arkive në procesin e pritshëm të vetingut. Arkiva e ILDKPKI mbart mijëra deklarata vjetore të pasurive dhe të të ardhurave që gjykatësit dhe prokurorët kanë plotësuar çdo vit që nga viti 2004. Kjo arkivë do të jetë një nga burimet kryesore të vendimmarrjes së komisionit të vetingut për të parë pastërtinë e figurës së gjykatësve dhe prokurorëve.
“Në nëntor dhe dhjetor prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kopjuterët e ILDKPI, të cilat janë thelbësore për vetingun”, deklaroi Lu.
Pas urdhërave të sekuestrove të prokurorisë, ILDKPKI iu drejtua gjykatave të cilat e rrëzuan Prokurorinë me argumentimin se në rast hetimi ndaj Ganajt, prokuroria mund të bllokojë dhe sekuestrojë vetëm deklaratat e zyrtarëve të rasteve të dyshuara për konflikt interesi por jo të gjithë arkivën.
Procesi i Vetingut pritet të nisë fillimisht me drejtuesit e institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat do të zëvendësojnë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Pastërtia e drejtuesve të rinj të drejtësisë është me rëndësi kyçe pasi pikërisht këta do të jenë përgjegjës për funksionimin e sistemit në gjeneratën e ardhshme.
FJALA E PLOTË:
Ambasadore Vlahutin, Ambasador Borchardt, Ambasador Graf, Z. Gogo, Zj. Meta, Zj. Prifti, zonja dhe zotërinj,
Nëse ne, shoqëria civile, partnerët ndërkombëtarë dhe media nuk jemi sy shqiponja, politikanë, gjykatës, prokurorë të korruptuar dhe krerë të krimit do të përpiqen t’i vjedhin këto zgjedhje, reformën në drejtësi dhe gjithçka tjetër në ekonominë e vendit.
Këta persona janë veçanërisht të frikësuar nga vëzhguesit vendorë të zgjedhjeve dhe ata që mbrojnë demokracinë e drejtpërdrejtë. Ju flisni shqip. Ju kuptoni kontekstin politik. Dhe keni mësuar marifetet e partive politike.
Ju të shoqërisë civile dhe të medias jeni rojtarët. Kjo nuk është detyrë për amatorë. Nuk është pa kosto. Nuk është pa rreziqe. Që të keni efekt, ju duhet mbështetje politike dhe financiare. Ju duhet përvojë, besueshmëri dhe mbi të gjitha, ju duhet kurajo.
I njëjti sy-shqiponje është i nevojshëm për reformën në drejtësi. Po shohim tashmë njerëz të fuqishëm që përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatat dhe prokurorët.
Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj, ai ka foluar vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër reformës në drejtësi. Në muajt nëntor dhe dhjetor, prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterave të ILDKPKI, që është jetik për vetingun.
Të premten e shkuar, siç kërkohet nga Kushtetuta e re, u hodh shorti për anëtarët e Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi, njëri prej disa institucioneve të reja që do të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit.
Shorti u drejtua siç duhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, por Prokurori i Përgjithshëm dhunoi frymën e Kushtetutës duke dërguar një listë me vetëm tre prokurorë për të plotësuar tre pozicione.
Kushtetuta është e qartë që këta anëtarë të Këshillit duhet të përzgjidhen me short. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë dorëzuan secili lista më të gjata me persona të kualifikuar për pozicionet në Këshill. Në dallim me to, Prokurori i Përgjithshëm i zgjodhi vetë të tre pozicionet e prokurorisë duke dërguar një listë me vetëm tri emra, përzgjedhur pa transparencë, për të plotësuar tre poste.
Fatmirësisht, ata ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë që e hartuan këtë reformë parashikuan që njerëz të fuqishëm do të përpiqeshin t’i manipulonin këshillat. Në Kushtetutë thuhet qartë se anëtarët e këtij Këshilli të Emërimeve në Drejtësi duhet t’i nënshtrohen menjëherë vetingut. Disa anëtarë të Këshillit kanë dhënë dorëheqjen këtë javë, në vend që të përballeshin të parët me vetingun. Ne do të ndjekim nga afër për të parë nëse Komisionet e Vetingut do t’i përmbahen kësaj kërkese kushtetuese dhe nëse të gjithë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do ta kalojnë procesin e vetingut.
Populli shqiptar duhet t’i tregojë këtyre njerëzve të fuqishëm që po vëzhgon. Partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë do t’i mbështesin përpjekjet e tyre.
Javën e ardhshme, do të mbërrijnë gjykatës dhe prokurorë amerikanë dhe nga BE-ja, për fillimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Së pari do të ndihmojnë Kuvendin të vlerësojë kandidatët për Komisionet e Vetingut. Më pas, do të shërbejnë si monitorues në secilin prej Komisioneve të Vetingut për t’u siguruar që kjo reformë do të kryhet pa lejuar anësi politike dhe pa toleruar korrupsion apo paaftësi profesionale.
U bëjmë thirrje shqiptarëve patriotë, të kualifikuar, që të aplikojnë për të shërbyer në Komisionet e Vetingut. Faqja e internetit e Avokatit të Popullit përmban të gjitha hollësitë për aplikimin.
Mesazhi im sot është i qartë. Shtetet e Bashkuara i kanë sytë këtu, edhe Bashkimi Evropian dhe vendet e tij anëtare, edhe OSBE-ja, edhe Këshilli i Evropës. Më e rëndësishmja, populli shqiptar dhe shoqëria civile duhet të rrinë syhapur për të parandaluar që njerëz të fuqishëm ta vjedhin demokracinë tuaj. (E.K/SHUPLAKA)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1019″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]