Në emisionin “ngA Kalaja”, tema e sotme është çështja “Beleri” dhe arrestimi dhe dorëheqja nga bashkia Himarë e Jorgo Goros.
Pjesë e panelit të sotëm ishte dhe zëdhënësi i fushatës së Fredi Belerit, Skerdjan Dhuli. Ai u shpreh se arrestimi i Fredi Belerit ka ndodhur për interesa mafioz dhe korruptiv.
“Arrestimi i Fredi Belerit ka ndodhur për interesa mafioz dhe korruptiv. Qeveria nuk pranon që atë bashki ta administrojë opozita, sepse bashkia e Himarës, edhe pse e vogël në popullsi, është e madhe në peshë. Himara është e aftë ta rrëzojë qeverinë dhe këtë e ka pranuar Rama”, tha Dhuli.
Përsa i përket heqjes dorë nga bashkia e Jorgo Goros, Dhuli tha se letra e dorëheqjes nuk është shkruajtur nga vetë Goro. Ai shprehet se letra është formuluar nga kryeministri Rama.
Në mbështetje të argumentit të tij, Dhuli citoi fjalën “anadollak”, e cila përmendej në letër.
Një organizatë anadollake e minoritetit fatkeqësisht bindi një shtet të BE-së se po lufton gjoja për të drejtat e njeriut në Himarë, shkruhet në letër.
Dhuli tha se në Himarë nuk përdoret fjala “anadollak”, duke marrë parasysh se një pjesë e popullsisë himariote është grek-folëse dhe kjo fjalë ka prejardhje turke.