Dy persona janë arrestuar në Korçë, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin sasi me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë dhe kanabis, kundrejt pagesës.
Shtetasit R.S 34 vjeç dhe Zh. G., 34 vjeçe, banues në Korçë, shpërndanin drogën në qytet, ndërsa 5 shtetas të tjerë janë arrestuar me doza të dyshuara heroine dhe kanabis. Të 5 personat janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë sekuestruar 98 doza dhe një sasi prej 309 gr. me lënde të dyshuar narkotike heroinë, një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, pesë kokrra metadon, 365 000 lekë, 60 euro, dy automjete dhe 6 aparate celulare.
Njoftimi zyrtar:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Korçë dhe Prokurorinë e Rrethit, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Kamuflimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
R.S., 39 vjeç dhe Zh. G., 34 vjeçe, banues në Korçë.
Si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj 5 shtetasve:
A.K., 39 vjeç, E. M., 34 vjeç, K. Gj., 24 vjeç, J.M, 37 vjeç, banues në Korçë dhe V. M., 30 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, Maliq.
Gjatë zhvillimit të fazave të këtij operacioni, u dokumentua me prova ligjore aktiviteti kriminal i shtetasit R. S. dhe shtetases Zh. G., të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin sasi me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë dhe kanabis, kundrejt pagesës, në qytetin e Korçës.
Ndërsa 5 shtetasit e tjerë, janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, me doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë dhe kanabis, të cilat i kishin blerë tek shtetasit e lartpërmedur.
Gjatë këtij operacioni, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
98 doza dhe një sasi prej 309 gr. me lënde të dyshuar narkotike heroinë, një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, pesë kokrra metadon, 365 000 lekë, 60 euro, dy automjete dhe 6 aparate celulare.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
(K.H/Faxweb.al)