Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, ka zhvilluar një takim me të rinjtë që votojnë për herë të parë në këto zgjedhje parlamentare.
Në takimin me ta, ai theksoi rëndësinë e votës, vetëm përmes të cilës, siç u shpreh ai, nuk do të ishin arritur zgjidhjet e problemeve e banorëve të këtij qyteti. Ai u premtoi banorëve të qarkut të Elbasanit se mes të tjerash do të arrihet që Elbasanit të mos ketë mungesë të ujit të pijshëm, do jetë arritur zbatimi i projektit.
Nuk munguan dhe nga ky qytet mesazhet e Ramës për opozitën kryesuar nga Partia Demokratike. Ai theksoi se sa më shumë t’i bëjnë rezistencë demokracisë “ata në çadër”, aq më shumë do të arrihet ajo. Rama se siguroi se nuk do të ndalet lufta për t’u hakmarrë për 25 vite krime.
“Shqipëria që kemi sot, natyrisht ka nevojë të rritet edhe më shumë ekonomikisht, por po rritet me 3.5%, ndërkohë që Shqipëria që kishim rritej me 0 presje diçka, domethënë asgjë presje diçka.
Shumë e shumë të tjera mund të thuhen mbi dallimin mes Shqipërisë që kemi dhe Shqipërisë që kishim. Por Shqipëria që kemi, pavarësisht se s’është ajo që kishim, nuk është Shqipëria që Duam.
Shqipëria që Duam është një Shqipëri ku ka drejtësi të barabartë për të gjithë. Një Shqipëri ku ka shtet që sillet njësoj me të gjithë. Një Shqipëri ku nuk ka të dobët dhe të fortë me njëri-tjetrin, por ka qytetarë që respektojnë ligjin dhe të tjerë që ndëshkohen për shkeljen e ligjit.
Një Shqipëri ku nuk ndëshkohen vetëm ata që shkelin rregullat dhe nuk janë të njohur, po ku ndëshkohen edhe ata që shkelin ligjin dhe mund të jenë shumë të njohur, mund të jenë me pushtet, me para, me taraf. Ata mund t’i kenë të gjitha këto, por duhet të kenë përballë shtetin e të gjithë shqiptarëve, që iu tregon vendin, në rast se duan të bëjnë përshesh në çdo shesh që gjejnë.
Shqipëria që Duam është një Shqipëri ku patjetër duhet të ketë shumë më tepër shanse dhe mundësi për punësim. Por që të rrisim punësimin, duhet të rrisim ekonominë. Që të rrisim ekonominë, duhet të bëjmë shtet. Që të bëjmë shtet duhet të vendosim drejtësinë në themelet e shtetit.
Unë ju siguroj se sa më shumë rezistencë i bëjnë drejtësisë, ata që janë ngujuar në çadër nga frika e drejtësisë, aq më i bindur jam se drejtësia do të bëhet dhe Vetting-u nuk ndalet. Ashtu sikundër ju siguroj se me të njëjtin pasion, me të njëjtin vullnet, me të njëjtën këmbëngulje, me të njëjtin mund që po luftojmë për të zhbllokuar Vetting-un dhe për të bërë drejtësinë, do të luftojmë për t’i dhënë mundësi për punë të gjithë atyre që duan të jetojnë me punë.
Me të njëjtin pasion që po luftojmë për të marrë hak për 25 vjet krime në kurriz të lirive dhe të të drejtave të njerëzve, krime të grabitjes së pronave, krime të shkeljes së të drejtave elementare të njerëzve, krime të lirimit të kriminelëve pa gjyq, pasi kanë vrarë, pasi kanë përdhunuar, pasi kanë rrahur dhe torturuar njerëz të thjeshtë, me po të njëjtin pasion, ne do të luftojmë edhe më shumë, edhe më të vendosur, që ekonomia jonë të mos rritet me 3.5%, po të shkojë mbi 5%. Nga rritja ekonomike të kemi shumë më tepër punësim, të kemi rroga të mira, të kemi një mirëqenie që shtrihet më gjerë dhe që shkon dhe prek jetën e çdo qytetari dhe çdo familjeje që jeton me punë të ndershme.
Unë e di shumë mirë që Elbasani ka ende plagë të mëdha. Por, siç ju thashë dy vjet më parë, që ne nuk do vijmë këtu për të kërkuar besimin tuaj, nëse nuk do zgjidhim përfundimisht problemin e kancerit të plehrave, po ju them që sot një vit, Elbasani do ketë 24 orë ujë, sepse deri në dhjetor do të jetë zbatuar projekti që prej vitesh punojmë së bashku me Bashkinë e Elbasanit, së bashku me Qazimin që është mjeshtër për të bërë projekte dhe në fakt është i vetmi politikan i gjallë për të cilin kanë shkruar dhe libra.
Ajo që unë ju siguroj është se, siç po ndryshon rrënjësisht Elbasani, ne duam të ndryshojmë rrënjësisht edhe të gjitha ish komunat rreth e rrotull, sepse nuk është më një bashki me disa komuna, por është Bashkia e re e Elbasanit dhe ne duam që ta çojmë erën e Rilindjes Urbane deri në fshatin më të largët. Ne duam që të mos ketë më rrugë të brendshme të Bashkisë së re të Elbasanit që të jenë të pakalueshme. Ne duam që të mos ketë më probleme për ujin, deri në çdo njësi administrative.
E njëjta gjë për Librazhdin. Sot, Librazhdi është diçka krejt tjetër. Këtë e thonë të gjithë. Por ka ende zona në Librazhd, ku s’ka arritur akoma era e Rilindjes, ku s’ka arritur akoma asgjë që të ketë ndryshuar nga viti 2013.
E njëjta gjë për Cërrikun.
E njëjta gjë për Belshin ku ne po bëjmë transformime që po iu japin njerëzve shpresë dhe energji pozitive. Po iu tregojnë njerëzve se ato vende të bekuara nga Zoti apo nga natyra, janë vende ku mund të jetohet dhe nga ku nuk je i mallkuar që të largohesh me patjetër. Janë vende ku mund të rrisim punësimin përmes turizmit, ku mund të rrisim punësimin dhe mirëqenien përmes rritjes së prodhimit. Janë vende ku realisht, ne mund të bëjmë një ndryshim shumë të madh.
E njëjta gjë me Gramshin.
E njëjta gjë me Peqinin.
Por, miqtë e mi, për të gjitha këto duhet vota. Të gjitha këto varen nga vota.
Kush thotë se “vota s’ka rëndësi, sepse e hodhe apo jo votën, prapë do të ta hedhin”, gabon.
Po të mos kishte vota rëndësi, sot nuk do ishin 130 mijë familje që kanë titullin e pronësisë së ndërtimit të tyre në dorë, pasi pritën për vite e vite të tëra të legalizojnë mundin, djersën, sakrificat, gjakun e emigracionit dhe të kursimeve. Në 8 vjet, Saliu dhe Shabani bënë 21 mijë legalizime, gjithsej. Nga këto, 85% ishin biznese, lokale, hotele, motele, magazina, pishina, trampolina në vende publike, në tokën e përbashkët të komuniteteve, në zona arkeologjike, në kala, në brigje lumenjsh, në anë të rrugëve dhe lanë pa legalizuar qindra-mijëra familje, sepse nuk iu interesonte të legalizonin shtëpitë e mundit e të djersës dhe të ëndrrës për një jetë më të mirë. Iu interesonte thjesht që të bënin pazare, duke kthyer Shqipërinë në një pazar të madh, sikur ishte në mes të Kandaharit dhe jo në mes të Europës.
21 mijë, në 8 vjet. Ne, 130 mijë në dy vite e gjysmë, sepse na është dashur një vit vetëm që të ndajmë letrat e njerëzve nga minjtë e Shabanit, që mbretëronin nëpër korridoret e ALUZIN-it.
Po kthehem prapë tek një plagë e vjetër. Nëse s’do ishte vota, nuk do ishte sot, ky qiell. Do vazhdonte reja kancerogjene e plehrave që digjeshin. Nëse s’do ishte vota, nuk do ishin sot parqet e rilindura të Elbasanit. Nëse s’do ishte vota, nuk do ishte sot një park i rilindur, liqeni i mrekullueshëm i Belshit. Nëse s’do ishte vota, nuk do ishin sot, thuajse të gjitha rrugët e brendshme të Librazhdit dhe sheshi qendror, të kthyera në një infrastrukturë të një qyteti të vogël mesdhetar.
Të gjitha këto i bën vota.
Nëse s’do ishte vota, sot, ju të gjithë do ishit te “kristali”, “xhami”, “pasqyra”, “vitrina”, “llamarina”, do ishit duke bërë sikur shkonit në shkollë. Ata do ishin duke bërë sikur jepnin leksione dhe dy palët do bënin sikur u dha dhe u mor diploma e në fund fare, vetëm papunësi për të rinjtë, që me një diplomë kot detyrohen t’ia besojnë fatin e jetës së tyre Cristianos dhe Griezmann.
Prandaj, miqtë e mi, është shumë e rëndësishme që të kuptohet që 18 qershori ka një rendësi të madhe, jo thjesht sepse duhet të fitojë Partia Socialiste, por ka një rëndësi të madhe, sepse duhet të fitojë shpresa e gjeneratës tuaj. Ka një rëndësi të madhe, sepse duhet të fitojë aftësia dhe merita juaj, të fitojë projekti ynë për të bërë shtet, për ta vënë Shqipërinë edhe më shumë në punë dhe për të krijuar mirëqenie përmes punës.
18 qershori është një udhëkryq.
Ju e shikoni çfarë duan të bëjnë ata që akoma rrinë në çadër dhe akoma shpresojnë se do të pengojnë popullin të ushtrojë të drejtën e tij, për të gjykuar dhe për të zgjedhur. Duan të na kthejnë mbrapa.”, tha ndër të tjera Rama nga Elbasani.
(XH.A/SHUPLAKA)