Në fjalën e mbajtur në forumin “Global Positive Forum” Edi Rama ka treguar dy pyetjet që i bën vetes çdo ditë kur nis punën.
Rama ka thënë se pyetjet e tij lidhen me faktin nëse po i shërben popullit të tij siç duhet dhe nëse shqiptarët po jetojnë më mirë.
“A jam duke e ndihmuar popullin tim dhe vendin tim që t’u bëjë ballë këtyre sfidave? A jam duke e ndihmuar popullin tim që të bëjë një jetë më të mirë? Nuk është e lehtë, pa dyshim, por këto dy pyetje janë si dy yjet e mi orientuese.”, u shpreh Rama.
Fjala e Ramës:
“Jetojmë në një botë që përballet me probleme dhe sfida, por e drejta për të udhëhequr është ndër privilegjet më të mëdha që populli mund t’i japë dikujt. Ndaj dhe unë e nis çdo ditë duke i bërë vetes këto dy pyetje thelbësore:
A jam duke e ndihmuar popullin tim dhe vendin tim që t’u bëjë ballë këtyre sfidave? A jam duke e ndihmuar popullin tim që të bëjë një jetë më të mirë? Nuk është e lehtë, pa dyshim, por këto dy pyetje janë si dy yjet e mi orientuese. Në zemër të gjithë kësaj është gjithmonë ekonomia dhe u ndjeva shumë i nderuar kur dhe Jacques Attali më kërkoi që të ndaja me ju sot vizionin tim mbi ekonominë pozitive. Në fund të fundit, çfarë nënkuptojmë me “ekonomi”?
Nënkuptojmë njerëz! Nënkuptojmë njerëz që veprojnë, blejnë dhe shesin mallra dhe shërbime.
Nënkuptojmë sipërmarrës që kanë ide dhe i realizojnë ato, që krijojnë vende pune dhe plotësojnë nevojat e të tjerëve. Nënkuptojmë qeveritë që hedhin themelet për zhvillim dhe krijojnë vende pune dhe pasuri me sisteme tatimore, të cilat më pas bëjnë të mundur investimin e duhur në të mirën publike, në shkolla, në spitale, në rrugë, në financimin e policisë dhe të ushtrisë që luftojnë kundër krimit dhe terrorizmit dhe na bëjnë të ndihemi të sigurt”, ka deklaruar Rama. (J.V/Shuplaka)