Alma Arrazi dhe tre fëmijët e saj nuk janë hedhur nga ura e vjetër apo ura e re e Bunës për t’i dhënë fund jetës. Këtë alibi e kanë hedhur poshtë policia dhe prokuroria e Shkodrës sepse dyshohet se vendi i vetëvrasjes është poshtë urës dhe jo mbi urë. Ndryshimi i pistës së hetimeve vjen pasi një kukull e dyshuar se ishte e njërës prej vajzave të Alma Arrazit zbuloi vendin se ku 39-vjeçarja mund të ketë kryer aktin e rëndë.
Në fund të urës së re Bunës, në këmbët poshtë kësaj ure, në një vend me zhavor dhe pemë e shkurre efektivët gjetën kukullën e cila është sekuestruar nga prokuroria dhe është çuar për t’i bërë analizën e AND-së nëse ka apo jo lidhje me njërin prej tre fëmijëve të mbytur të Alma Arrazit.
Kukulla e gjetur në breg poshtë urës, bëri që forcat RENEA nga fshati Darragjat ku u gjet vajza 9-vjeçe të përqëndrojnë kërkimet e tyre në këtë vijë ujore të lumit. Vetëm pak metra më tutje, tek pinarët u gjet trupi i pajetë i vajzës 8-vjeçare. Jo shumë larg nga pinarët, në një largësi prej afro 2-3 kilometër në afërsi të Oblikës në Anën e Malit u gjet edhe trupi i djalit 4-vjeçar dhe rreth 35 kilometër nga aty përballë fshatit Pentar në ujërat që i përkasin Malit të Zi u gjet edhe trupi i pajetë i Alma Arrazit.