Java nuk nisi mbarë për ata që sot ranë pre e grabitjes dhe as për ata efektivë që duhet të jenë në krye të detyrës, por nisi mirë për maskat që arritën të vjedhin shuma të konsiderueshme parash, duke lënë pas tronditje, shqetësim, pikëpyetje.
Tre grabitje u shënuan gjatë ditës së sotme, tre grabitje në qytete të ndryshme, shuma të ndryshme, por brenda një të hëne dhe në hark kohor jo të largët. E veç kësaj, ajo që i bashkon tre grabitjet janë maskat dhe armët si dhe fakti që ende asnjë prej tyre nuk është kapur e deri tani nuk është folur as për të dyshuar të mundshëm.
Grabitja e parë u shënua gjatë natës në fshatin Bulgarec të Korçës, ku maskat mundën të grabisin rreth 7 milionë lekë të vjetra dhe disa dokumente nga kasaforta e dyqanit të biznesmenit Luan Larti, një prej biznesmenëve më me pozitë në Korçë.
Pre e grabitjes së dytë ra “Tirana Bank” tek “21 Dhjetori” në kryeqytet, ku jo çdo gjë shkoi vaj për dy grabitësit, të cilëve iu bllokua kasaforta dhe rënia e alarmit i gjeti të papërgatitur. Për pasojë, ata u larguan me një sasi parash të vjedhura jashtë kasafortës duke harruar brenda bankës një prej armëve të krimit. Ngjarja ndodhi kur filiali i bankës sapo kishte nisur punën.
Dhe grabitja e tretë, ajo ku u arrit të vidhet sasia më e madhe e parave ndër të treja grabitjet, u shënua në Fier gjatë paradites. Pre ra firma “AZA Electronics” që tregton pajisje elektronike. Dy personat e maskuar mundën t’i marrin çantën me para menaxherit, për t’u larguar më pas në drejtim të paditur. (XH.A/SHUPLAKA)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”189″ exclusions=”158,159,160,163,164,165,166,331,333,335″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]