Pas vendimit të KQZ-së, për t’u hequr mandatet kryebashkiakut Elvis Rroshi dhe deputetëve Dashamir Tahiri e Shkëlqim Selami, edhe mediat ndërkombëtare kanë folur për Shqipërinë.
Gazeta prestigjioze “The New York Times” i ka kushtuar një artikull të tërë kësaj çështjeje.
Në shkrimin me titull “Tre zyrtarëve shqiptarë u hiqen mandatet për rekorde kriminale”, shkruhet për Roshin, Tahirin dhe Selamin dhe rëndësinë e kësaj çështjeje për procesin e integrimit në BE.
Shkrimi i plotë:
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë ka anuluar mandatet e dy anëtarëve të parlamentit dhe të një kryetari bashkie për shkak të të dhënave të tyre kriminale.
Veprimet e ndërmarra këtë të enjte ishin të parat të ndërmarra në bazë të një ligji të miratuar gjatë vitit të kaluar, që i ndalon personat me precedentë penalë të mbajnë poste publike dhe shumicën e vendeve të punëve të shërbimit civil.
Komisioni i ndërpreu mandatet dy ligjvënësve, Dashamir Tahiri i Partisë Demokratike dhe Shkëlqim Selami i Lëvizjes Socialiste për Integrim, si dhe kryetarit të Kavajës Elvis Roshi.
Të tre zyrtarët e kanë mohuar që kanë rekorde kriminale. Por prokurorët thonë se ata ishin dënuar më parë në Itali dhe Zvicër për krime që përfshinin pastrimin e parave, trafikimin e drogës dhe trafikimin njerëzor.
Lufta kundër korrupsionit dhe spastrimit nga radhët politike dhe publike të kriminelëve të dënuar, mbetet një përparësi kryesore për Shqipërinë, vendin e vogël ballkanik perëndimor, që shpreson të nisë së shpejti bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë, e përshëndeti vendimin e komisionit si “një fitore për popullin shqiptar dhe një paralajmërim për kriminelët që kërkojnë të kandidojnë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit “.
“Personat me precedentë penale nuk duhet të kenë vend për të përfaqësuar popullin shqiptar,” tha ambasada në një deklaratë të lëshuar pas vendimit.
Shqipëria ka planifikuar që zgjedhjet parlamentare të mbahen në qershor, si dhe zgjedhje të reja për kryetar bashkie do të mbahen në Kavajë. (D.D/Shuplaka)