Premtoi se do punonte me një qeveri të vogël por vendimi më i fundit i Edi Ramës e fryn qeverisjen. Edhe pse ka vetëm 11 ministri (plus 2 pa portofol), ka zgjedhur të ketë plot 33 zv.ministra, që bashkë me ministrat shkon në 44. Po t’i shtosh këtij numri edhe dy ministritë pa portofol, zv.kryeministren dhe kryeministrin numri shkon në 48. Pra, perceptimi publik se Rama po punon me qeveri të vogël, nuk është fort i saktë. Janë plot 48! Ku të shkojë më shumë?!
Pasi Rama na njohu publikisht me emrat e 3-4 zëvendësve për çdo ministri, të zgjedhur nga ai, informacioni që do donin të gjithë është përgjigja e pyetjeve: Kush janë këta zv.ministra? Çfarë përfaqësojnë?
Nga një kalim i thjeshtë rezulton se mes emrave 4-5 zv.ministra janë personazhe të njohur për publikun, siç është Artan Shkreli, këshilltar i Ramës për Territorin dhe bashkëshorti i ish-deputetes socialiste Ledi Shamku. Po kështu Petro Koçi zv.ministri i Mbrojtjes, Mira Rakacolli, Ervin Demo, zv.rektori UT-së etj.
Mes tyre ka edhe nga ata që kanë një profil të ulët publik dhe që kanë lidhje shumë të ngushtë me biznesin. Për shembull Albana Shkurta, e cila është menaxherja e përgjithshme e kompanisë ”Albanian Distribution&Development” e biznesmenit të njohur Agim Zeqo, ose Gimit të Redbullit, siç njihet në publik. Shkurta që do jetë zv.ministre e Financave dhe Ekonomisë mban aktualisht postin e menaxheres, nga sa e bën të njohur vetë.
Një emër tjetër, që bën përshtypje, është edhe Ornela Çuçi, e cila njihet si pedagoge e UET-it, por që në CV shënon se është aktualisht administratore e kësaj sipërmarrje. Interesant është edhe fakti se pedagogia ka mbrojtur në daljet e saj televizive planin e qeverisë për importin e plehrave, pak kohë më parë. Çuçi është zgjedhur nga Rama si zv.ministre e Mjedisit. Lidhje me këtë universitet ka edhe një zv.ministre tjetër: Klea Maliqi pedagoge juridiku në universitetin e Henri Çilit.
Mes grave spikat me detajet që ofron edhe minoritarja Artemis Dralo, që do jetë zv.ministrja e Europës dhe Punëve të Jashtme, e cila mburret në rrjet me foton e kryeministrit teksa e përqafon. Emri i Dralos u lakua para disa ditësh nga media, pasi zëvendësoi përfaqësuesin e çamëve Halil Hysenin.
Rama ka mbajtur disa zv.ministra të vjetër si Rovena Voda e ministrisë së Punëve të Brendshme, Erion Lucin zv.ministër i Financave dhe Ekonomisë si dhe Besfort Lamallarin këshilltar i Xhafajt e Etien Xhafajn, shef kabineti te Ministria e Financave. Ashtu siç ka shpërblyer edhe zv.kryetarin e FRESSH-it Shpati Kolgegën, i cili ka studiuar në UET dhe ka qenë kandidat për deputet i Partisë Socialiste në Tiranë apo Ardiana Jakun, ish-kandidaten e Lezhës.
Misteriozë mbeten profile si ai i Altin Bonatit, ndërsa duket se Rama ka dashur të sjellë si prurje emrat e disa shqiptarëve të Kosovës: Valbona Shujaku, shef i sektorit të Kulturës në Bashkinë e Prishtinës që do të jetë tashmë zv.ministre e Kumbaros apo Hajrulla Çekun i Klosit.
Sipas informacioneve, Rama me drejtuesit që ka zgjedhur është duke punuar për ristrukturimin e drejtorive të ministrive. Një pjesë e punonjësve janë në presion për shkarkim nga socialistët. Diskuri publik i Ramës është mbajtur me idenë bazë se ka drejtori fantazmë, të cilat duhen shkrirë, duke dhënë si argument fryrjen me drejtorë të partisë që bashkëqeveriste të cilët ”paguheshin kot”. Po 33 zv.ministrat a do paguhen?! /Valmora Gogo-SHUPLAKA
NË FOTO: Edi Rama me zv.ministret, Agim Zeqo, Albana Shkurta, Ornela Çuçi, Erion Luci, Dajna Sorensen, Elton Haxhi, Dorina Çinari, Artan Shkreli, Rovena Voda, Romina Kuko, Besfort Lamallari, Artemis Dralo, Etien Xhafaj, Petro Koçi, Toni Gogu, Mira Rakacalli,Bardhylka Kospiri,Ilirjana Bajraktari,Ardiana Jaku, Besa Shahini, Ervin Demo, Shpati Kolgega, Hajrulla Çeku, Dhimo Kote, Ermira Rusi, Roland Kristo, Valbona Shujaku
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”2910″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]