Myslim Murrizi, Nimet Musai dhe Edmond Stojku do të kenë një takim me kryeministrin Edi Rama mbrëmjen e sotme në orën 19:00, raaporton Faxweb.al. Ky takim vjen pas bisedave që kanë zhvilluar edhe me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçin ndërsa është me kërkesë të tre kryetarëve të grupeve të partive opozitare në Kuvend.
Takimi sipas burimeve për Faxweb.al mësohet se do zhvillohet në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit. Kujtojmë se opozita parlamentare ka këmbëngulur për ndryshimin e sistemit ku të përfshihen listat e hapura ndërsa është lënë në hje dhe nuk është bërë pjesë e marrëveshjes në Këshillin Politik.
Nga ana tjetër, që prej arritjes së marrëveshjes, Rama ka deklaruar disa herë se nuk i ka votat në Kuvend për kalimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ndërsa i duhen edhe votat e deputetëve të opozitës, një pjesë e të cilëve kanë deklaruar publikisht se nuk do ta votojnë për shkak të mos përfshirjes së listave të hapura në marrëveshjen mes aktorëve politik.
Nuk dihet nëse Rama në këtë takim do të mundohet të bindë deputetët e opozitës për të kaluar reformën në parlament, duke qenë se kjo është një nga kushtet e kërkuara nga Bashkimi Europian për hapjen e kapitujve të negociatave.
(F.GJ/FAXWEB.AL)