Sot ashtu si çdo ditë tjetër, kryeministri Edi Rama nuk ka harruar t’ju uroj mëngjesin shqiptarëve, megjithëse nuk ndodhet në Shqipëri.
Ai ka përzgjedhur një foto nga vizita e tij zyrtare në Gjermani, të cilën e ka postuar në “Facebook”, së bashku me përshëndetjen.
Rama pritet të ketë një takim me kancelaren gjermane, Angela Merkel rreth orës 15 e 30, si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë, ku çelja e negociatave do të jetë pika kyçe e takimit.
Gjermania është një nga vendet që e ka shprehur hezitimin e saj për çeljen e negociatave me Shqipërinë, dhe nuk dihet se çfarë kushte mund ti komunikohen drejtpërdrejtë Ramës.
Në media është përfolur jo pak, se një pjesë e deputetëve gjermane kërkojnë arrestimin e Saimir Tahirit në mënyrë që të hapen negociatat për Shqipërinë.
I pyetur pak ditë më parë në lidhje me këto informacione të dala në media, Rama tha se Gjermania është një nga mbështetëset kryesore të Shqipërisë, dhe se për Tahirin duhet të paraqiten prova, në mënyrë që kuvendi të japë ‘’ok”-in për heqjen e imunitetit.
(E.K/AXWEB.AL)