Gjergj Buxhuku, Kryetari i Konfindustrias, ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Me Xhaxhiun” në Fax New për të folur mbi buxhetin 2022.
Gjergj Buxhuku ka deklaruar se vendimet mbi buxhetin janë vendime të drejtëpërdrejta politike, duke shtuar fakti që Shqipëria është në këtë gjendje të vështirë ka ardhur si pasojë e vendimeve politike.
“Buxhetet janë vendim i drejtëpërdrejtë i vendimeve politike. Dua të bëj dy përcaktime. I pari është që situata ekonomike në Shqipëri është e rëndë. Nuk ka buxhet vjetor që të mund ta rregullojë gjendjen. E dyta, është ajo çka ju thatëe dhe ne po diskutojmë tani. Përse me politikën? Fakti që Shqipëria është në këtë gjendje të vështirë ekonomike, ështe per shkak të vendimeve politike. Problemet e Shqipërisë ndihen drejtëpërsedrejti në ekonominë familjare. Pra, situata në Shqipëri është e vështirë”, tha ai.
Një tjetër deklaratë e fortë e Gjergj Buxhukut kishte të bënte me ekonominë e tregut. Ai theksoi se një ekonomi tregu pa konkurrueshmëri është më keq se mafia.
“Ne praktikisht kur filluam hapjen e ekonomisë së tregut, filluam nga një regres i skajshëm. Ajo çka ne filluam në vitin 91, praktikisht u kushtëzua edhe ne vitet që po flasim. Unë do të thoja që ata që u vunë në krye të politikës shqiptare në atë kohë, ishin injorantë të politikës, siç ishim ne të gjithë. Futet këtu dhe prapambetja e madhe që ne kishim krahasur me vendet e tjera. Përfunduam ngritjen e një sistemi që sot në të cilën kemi një grupim biznesesh të vogëla dhe të mesme që punojnë në kushtet e tregut të lirë dhe pastaj kemi një grupim të ashtëquajtur biznese që punojnë ose me biznese shtetërore, pra bazohen te ndihma shtetërore, ose monopole, ose punojnë nën mbrojtjen e shtetit. Kemi një grupim gjithnjë e me teper te bizneseve që vetem emrin kanë të tillë. Ekonomi tregu pa konkueshmëri është më keq se mafia”, deklaroi ai.
(E.H/Faxweb.al)