Ngritja e 4 HEC-eve në Kaçinar të Mirditës ka vënë përballë banorët e zonës me firmën ndërtuese e cila e ka marrë prej kohësh lejen e ndërtimit nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Të parët këmbëngulin në mosndërtimin e këtyre HEC-eve pasi grumbullimi i ujërave në kaskadën Kaçinar do t’u zhdukte atyre çdo lloj mundësie për jetesë. Të dytët pretendojnë se qeveria u ka dhënë të drejtën sipas ligjit të ndërtojnë.
Por të paktën prej disa muajsh konflikti ka zbritur në ‘bazë’, tek administratori i Njësisë Administrative Kaçinar, Gjet Shkurti.
Vetëm 2 muaj më parë ky i fundit u kap në audio me disa banorë të zonës teksa i kërcënonte ata për t’u hapur rrugë ndërtimeve të HEC-eve se projekti shkonte në miliona lekë.
“Pasha Zotin njanen ke me e ba, a me hik a me marrë paret (50 mijë euro), vec n’hifsh n’tok”, dëgjohet Shkurti në audio ndërsa banori i përgjigjet: “Ti Gjet s’mundesh me na ba presion”.
Audio u publikua në muajin korrik në Facebook-un e ish-kryeministrit Berisha.
Ndërkohë sot Faxweb.al ka siguruar një tjetër audio ku dëgjohet administratori socialist i Kaçinarit, Gjet Shkurti teksa debaton me një banor të zonës ku i përmend dhe kryeministrin Rama si garanci e ndërtimit të këtyre HEC-eve:
“Veç në q*ftë nanën e vet Edi Rama se ka me i dal zot deri ditën e fundit ose ka me i dhan firmës 7 milionë euro mbrapsht, se i ka dhan firmën për me e bo, trrakk, e di ai“.
Banori (i paidentifikuar) i kërkon ta zgjidhin këtë çështje me Kanun, por sipas administratorit Shkurti shoqëria e ka marrë ‘me shtet’ lejen, çka garanton mospengimin e ndërtimit të HEC-eve në zonë.
Biseda e plotë mes administratorit Gjet Shkurti dhe një banori të zonës:
Administratori: As s’jemi djegur, as s’kemi dalë fare. I dalim zot vetes e harrojmë shtetin, shtetin e lëmë mënjanë, me merremi me punët tona.
Qytetari: Pse nuk e zgjidhni me Kanun punën e ujit atëhere?
Administratori: Se kemi fitu me Kanun (lejen) e kemi fitu me shtet. Por katunit (banorëve të fshatit), duhet me iu përgjigj.
Qytetari: Herë thua Kanun e herë me shtet mor burrë…
Administratori: E ka fitu me shtet (lejen e HEC), dhe ate veç në q*ftë nanën e vet Edi Rama se ka me i dal zot deri ditën e fundit ose ka me i dhanë firmës 7 milionë euro mbrapsht, se i ka dhëne firmën për ta bërë, trrak, e di ai… Ndërsa me zakon e di ai se ka thënë Edi Rama, ajo është toka jote.
Audio ekskluzive:
Kujtojmë se kontrata për ndërtimin e HEC-eve në zonën e Mirditës është firmosur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Shoqërisë “Shpërdhaza – Energji” shpk. Gjithashtu administratori Gjet Shkurti është nipi i pronarit të “Shperdhaza Energji”, Ndue Shkurti.
Nga ana tjetër odisea e banorëve në mbrojtje të resurseve të tyre natyre vijoi dhe sot ku u shënuan disa incidente në zonën ku është parashikuar ndërtimi i HEC-eve (lexo më shumë).
Gjithashtu mbrëmjen e kaluar një banor i zonës u shoqërua në komisariat dhe u mbajt për disa orë pasi u kishte bërë thirrje banorëve të tjerë të protestonin kundër nisjes së punimeve (lexo).
Burime për Faxweb.al bëjnë me dije se në asnjë prej 4 HEC-eve të parashikuara në zonën e Mirditës nuk ka nisur puna për ndërtimin e tyre.
Atëherë nëse qeveria nuk i ka ‘mbrojtur krahët’ firmës ndërtuese me klauzola dëmshpërblimi në rast të mosrealizimit të investimit lind pyetja: Pse kryeministri Rama duhet t’i kthejë mbrapsht 7 milionë euro?!