Nga Fatjon Gjinaj
Fax News ka mësuar detaje ekskluzive sa i përket atentatit me armë ndaj çfitit Preng e Antoneta Paluca disa disa ditë më parë në derën e shtëpisë së tyre në rrugën “Kosova” në Kamëz.
Burime të sigurta bëjnë me dije se kamerat e vendosura në katin e dytë të objektit pesë katësh ku jeton familja Paluca, kanë filmuar gjithë dinamikën e ngjarjes së ndodhur rreth orës 22:05, të datës 07 gusht.
Kanë qenë dy persona në një autoveturë me xhama të errët që kanë ndjekur makinën me të cilën po lëvizte çifti. Ata po ktheheshin nga qyteti i Kamzës ku morën në makinë për ta dërguar në banesë edhe të bijën e mitur vetëm 15 vjeçe, e cila fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime, ndërsa është bërë dëshmitare e ngjarjes së rëndë pasi ndodhej brenda mjetit të babait të saj.
Sapo Preng Paluca ka hapur derën e makinës, njëri prej autorëve, i ka vënë dorën te xhami i mjetit, ka nxjerrë armën e zjarrit tip pistoletë me silensiator. Aty ka ndeshur në rezistencën e 50-vjeçarit i cili është përpjekur ti largojë armën nga duart.
Në këto momente konfrontimi, arma ështe shkrepur vetëm një herë, ku predha e ka kapur Prengën fillimisht në dorën e majtë, i ka përshkruar në brinjë po në të majtën, duke deportuar brenda organeve të brendshme të trupit.
E njëjta predhë që ka përshkruar trupin e 50 vjeçarit, ka kapur në këmbë edhe të shoqen Antonetën, e cila ka pësuar vetëm një gërvishtje, ndërsa e bija e cila ndodhej në sediljen e pasme, përveç përballjes me situatën dramatike, fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime.
Fax News mëson referuar dosjes hetimore, se pas këqyrjes së kamerave të sigurisë, por edhe dëshmisë së çiftit, është zbuluar se njëri prej autorëve ka qenë vetëm në rolin e drejtuesit të mjetit, ndërsa tjetri në atë të ekzekutorit.
Ata kishin vendosur në kokë, maska plastike të ngjashme me lëkurën e trupit të njeriut dhe që shpesh grabitësit profesionist i përdorin në vjedhjen e bankave. Për këtë ka dyshime që ata të kenë qenë vrasës profesionist dhe të paguar, ndërsa janë treguar të kujdesshëm duke marrë nga vendngjarja edhe predhën e nxjerrë nga arma e krimit. Pas atentatit, ata janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Fax News udhëtoi këtë të enjte të 12 gushtit drejt Kamzës duke trokitur në dyert e banesës së Preng Palucës. Vëllai i Prengës, pa pranuar të prononcohet para kameras, na rrëfen:
“Nuk dimë ti kemi borxh njeriu. Jemi shtatë vëllezër. Unë me Prengën jetojmë këtu, në këtë banesë, kemi ardhur nga Puka prej 23 vitesh, të dy kemi një firmë modeste materialesh ndërtimi në periferi të Kamzës, me atë merremi. Vëllezërit e tjerë i kam jashtë.
Njëri prej tyre ndodhet në azil në një vend të Bashkimit Europian prej disa vitesh. Ndodhesha në banesë natën kur ndodhi ngjarja, nuk dëgjual asgjë derisa autorët ikën. Pastaj dëgjuam një rrëmujë, ndodhi shumë shpejt sa nuk po kuptoja asgjë.
Antoneta fatmirësisht nuk ka asnjë pasojë nga ajo që ndodhi, Prenga ende është në Spital, në situatp delikate por e ka kaluar rrezikun. Policia po heton, atyre ua kemi lënë, nuk duam media dhe ekspozim pasi nuk besoj se kjo është zgjidhja. As brez pas brezi s’kemi pasur hasmëri a konflikt me njeri”.
Burime bëjnë me dije se 3 vite më parë, pikërisht në të njëjtin muaj, Gusht, dhe të njëjtin orar si ngjarja e të Shtunës së kaluar, familja Paluca është tronditur nga një atentat me tritol. Në atë kohë, hetimet u shtrinë në një mosmarrëveshje të krijuar për shkak të një teme divorci mes njërit prej vëllezërve dhe ish-bashkëshortes së tij.
Ishte ngjarje fatmirësisht pa pasoja në njerëz dhe që për familjen Paluca u konsiderua u mbyllur, ndërsa për këtë të fundit, pavarësisht se nuk përjashtohet si pistë lidhja e saj me tritolin e 3 hiteve më parë, pistë të rëndësishme e hetimit është ajo e aktivitetit me të cilin merren vëllezërit Paluca që jetojnë jashtë Shqipërisë. Në këtë aspekt, po mblidhen informacione dhe të dhëna që mund të krijojno prova të arsyeshme.
Preng Paluca rezulton person pa precedent penal, dhe fakti është, kjo referuar burimeve hetimore por edhe familjarëve, se ai nuk është bërë shkas për asnjërën prej ngjarjeve kriminale ku ai ishte shënjestër, por shënjestër paralajmëruese ose goditëse për hakmarrje ndaj dikujt që për të është i rëndësishëm.