Edhe më herët Univeristeti i Elbasanit është lakuar për korrupsion, madje nuk kanë munguar as të ndaluarit. Këtu përmendim pedagogun e gazetarisë Isidor Koti i cili vuajti dënimin në burgun e Peqinit. I ndaluar tjetër ka qenë pedagogu Pllumb kllogjeri, i cili tashmë është në pension, por edhe Ismail Stafa, i cili për mungesë provash u rikthye sërish në detyrë. Duket se as masat e marra nga rektori Skënder Topi në nisje të vitit akademik 2017-2018 nuk mjaftuan për ta pastruar universitetin e Elbasanit nga fenomeni negativ i korrupsionit dhe mitmarrjes.
Kujtojmë se në fillim të vitit akademik, Z. Topi çoi në shtëpi jo pak pedagogë të vjetër, duke mos rinovuar kontratat. Këtu bëhet fjalë kryesisht për pedagogët e jashtëm. Ndërkohë në lidhje me 7 të ndaluarit burime për ‘Fax News’ bëjnë të ditur se forcat blu në bashkëpunim me prokurorinë kanë shkuar në shtëpitë e tyre në orën 12 e 30 të natës, teksa kanë qënë duke fjetur, duke shkaktuar jo pak panik edhe për pjestarët e tjerë të familjes. Këtu ka qënë momenti që pedagogët janë arrestuar, dhe u është kontrolluar shtëpia. Në këtë moment forcat speciale kanë lajmëruar titullarët e Universitetit, megjithëse Rektori Skënder Topi në deklaratën për median deklaroi se për ngjarjen ishte njoftuar nga media. Pasi kanë bastisur shtëpinë, kontrollet janë spostuar në Universitet. Ka qënë ora 01:30 kur janë bastisur zyrat e Albert Riskës në Universitet dhe shefes së departamentit Elvira Lumi. Burime të sigurta pohojnë se sot Znj. Lumi do të nisej për një udhëtim disa mujor në SHBA, por si duket hetuesit kanë qënë të mirëinformuar duke ndërhyrë pak orë para nisjes.
Për kameran studentët nuk preferojnë të prononcohen pasi i druhen hakmarrjes. Disa prej tyre shprehen se lajmi i ka gjetur të papërgatitur pasi me personat në fjalë kishin mardhënie korrekte, sikurse ka edhe të tjerë që nuk janë shfaqur të befasuar. Madje jashtë kamerave disa studentë konfirmojnë faktin se Znj. Lumi sillej mjaft keq me ta dhe paratë ua kërkonte publikisht, pasi i duheshin për pushime.
Ndërkohë grupi hetimor ende nuk jep detaje sesa ishte shuma që i kërkohej të paguanin studentët përkundrejt notës, megjithëse burime jo zyrtare bëjnë të ditur se ajo varionte nga 100-200 Euro.
Sa i takon mënyrë sesi njiheshin në publik. Dekani Albert Riska përflitej se shpeshherë abuzonte me pijet alkoolike, por me studentët kishte marrëdhënie korrekte.
Ndërkohë shefja e departamentit Elvira Lumi shpesh është karakterizuar si një njeri me probleme në sjellje, madje të shoqëruara edhe me skandale. Burime të sigurta bëjnë me dije se për këtë arsye edhe kurohej me medikamente. Pas marrjes në mënyrë të rregullt të tyre shpesh herë kalonte në gjendje normale, por kohët e fundit kishte nisur të shfaqte sërish probleme.
Ndërkohë në lidhje me pedagogen e jashte të ekonomikut Erjola Calja nuk diskutohet shumë pasi nuk ishte shume e njohur, për shkak edhe të pozicionit të saj si staf i jashtëm.
Incidentet në Elbasan me pedagogët nuk kanë munguar. Disa pedagogëve në shenjë hakmarrje dhe paralajmërimi u janë djegur mjetet. Vetëm pak ditë më parë pedagogut të Fakultetit të Shkencave të Edukimit Arben Haxhiymeri iu dogj për të dytën herë makina, të cilën e kishte parkuar pranë shtëpisë.
KOMUNIKATa PËR SHTYP REKTORIT TË UNIVERSITETIT
Marrë shkas nga Njoftimi për shtyp i Drejtorisë Vendore të Policisë Shtetit Elbasan, datë 09.05.2018, jemi vënë në dijeni për arrestimin e tre punonjësve të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”:
Albert Riska, me detyrë Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane;
Elvira Lumi, me detyrë drejtuese e njësisë bazë Departamenti i Letërsisë dhe Gazetarisë, Fakulteti i Shkencave Humane;
Erjola Çalja, personel akademik me kohë të pjesshme në Departamentin Marketing Inxhinieri, Fakulteti Ekonomik.
Rektori i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësve të mësipërm.
Ky urdhër do të jetë në fuqi deri në zbardhjen e plotë të çështjes.
Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” është i hapur për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë.
Njoftimi i policisë për arrestimin:
Finalizohet operacioni “Dekani”.
Operacioni nga Strukturat e DVP.Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit.
Operacioni me metoda speciale të hetimit prej disa muajsh hetime.
Goditet një grup në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, dekan –pedagog-student e sekser në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan.
Finalizimi i operacionit mëngjezin e sotëm duke vënë në pranga 7 persona.
Nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan u finalizua me sukses operacioni “Dekani”.
Në kuadër të këtij operacioni pas një hetimi disa mujor me metoda speciale u bë e mundur arrestimi i shtetasve:
1- Albert Riska,55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” , Elbasan.
2- Elvira Lumi, 54 vjeçe, banues në Elbasan, me detyrë Shefe e Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”,Elbasan.
3- Erjola Calja, 29 vjeçe, banues në Gostime Cërrik, pedagoge e jashtme në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” , Elbasan.
4- Petrit Kodra, 53 vjeç, banues në Elbasan, në rolin e sekserit.
5- Admirim Kala, 31 vjeç, banues në Tiranë, në rolin e sekserit.
6- Adem Ngjela, 51 vjeç, banues në Cërrik, në rolin e sekserit.
7- Marius Calja, 21 vjeç, banues në Gostime Cërrik, student.
Arrestimi i tyre u krye në zbatim të vendimit nr.315, datë 08.05.2018, të Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, e cila ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale të parashikuara nga neni 245/1/2 dhe 259, i Kodit Penal, “Ushtrimi i Ndikimit të Paligjshëm ndaj Personave që Ushtrojnë Funksione Publike” dhe “Korrupsioni Pasiv i Personave që Ushtrojnë Funksione Publike”.
Personat e arrestuar në bashkëpunim me njeri-tjetrin në kohë të ndryshme duke shpërdoruar funksionin publik kanë kërkuar dhe ushtruar ndikim të paligjshëm në rolin e sekserit dhe pedagogut në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan për marrjen e notave kaluese nga studentet gjatë sezoneve të provimeve.
Vazhdojnë hetimet për evidentimin e veprimtarisë kriminale edhe ndaj persona të tjerë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. (B.H/Faxëeb)