Një atentat mafioz ka ndodhur këtë mesditë në qytetin e Vlorës, ku është qëlluar me breshëri kallashnikovi drejt një mjeti tip “BMV”, e ku për pasojë ka ndërruar jetë drejtuesi i makinës, i cili dyshohet se udhëtonte i vetëm.
Fax Neës mëson detaje të reja sa i takon viktimës, Bledar Birçaj, i cili është pronar i një lokali në zonën e Lungomares, dhe duket se ka precedentë të mëparshëm penalë. Ai ka qenë i arrestuar në vitin 2011 nën akuzën e vrasjes, dhe ndërkohë është lënë më pas i lirë nga ana e Gjykatës së Vlorës.
Në 25 korrik 2011 prokuroria e Vlorës, ka vendosur pushimin e hetimeve për Bledar Birçaj, me argumentin se nuk i provonin akuzën e vrasjes me paramendim mbetur në tentativë. Për qëndrimin në burg për një periudhë 122 ditore Birccaj ka përfituar dëmshpërblim fiannciar prej 2 milion e 760 mijë lekë të vjetra.
Ngjarja po hetohet fillimisht në pistën e hakmarrjes, ndërkohë që asnjë prej autorëve nuk ka rënë derimë tani në pranga.
Burime bëjnë me dije se atentati ka ndodhur në lëvizje dhe autorët kanë qenë më shumë se dy, ndërsa breshëria e plumbave ka qenë në të gjithë gjerësinë e automjetit që shihni në foton e mëposhtme.
Policia ka ngritur pika kontrolli në rrugën e lumit të Vlorës, nga ku dhe dyshohet se janë larguar autorët.
Siç shihet dhe nga pamjet e mëposhtme, makina ka një numër të madh plumbash.
Zona ku ka ndodhur ngjarja ka shumë biznese që janë të pajisura me kamera sigurie, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë.
Njoftimi zyrtar i Policisë:
Në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip” BMW” me drejtues shtetasin B. B rreth 40 vjeç ,i cili si pasojë e plagëve të marra është transportuar në spitalin e Vlorës, ku dhe ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet nē vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shërbimet e Policisë të D.V.P. Vlorë, të Komisariatit të Policisë Vlorë po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit.
(E.K/Faxweb.al)