Entonjo Elezaj është një ndër talentet kuqezi, i cili luan në radhët e Peruxhias në Serinë B. Elezaj ka lindur në Torino dhe për herë të parë nënshkroi kontratë prej profesionisti në moshën 18-vjeçare me skuadrën italiane “Pro Vercelli”.
Portieri vlonjat është aktivizuar me kombëtaret e moshave U-17 dhe U-19, ndërsa pret një ftesë nga trajneri i sapoemëruar i Shpresave, Alban Bushi.
20-vjeçari i dalë nga akademia e kampionëve të Italisë, Juventus, ka një ëndërr të madhe që të djersijë një ditë dy fanellat e zemrës së tij, atë të kuqezinjve dhe bardhezinjve.
Në një intervistë për “Shuplaka.com”, gardiani i Peruxhias ka rrëfyer eksperiencën e tij në Ligën e Dytë të futbollit italian dhe ofertat e marra nga disa ekipe, ku mes tyre është dhe skuadra e origjinës së tij, Flamurtari i Vlorës.
Entonjo, si ndiheni te Peruxhia?
Shumë mirë, është një ambient pozitiv dhe ndihem mirë.
Si i keni marrëdhëniet me trajnerin?
Shumë të mira. Marrëdhënie normale, siç çdo futbollist me trajnerin. Ai më solli këtu, më pa në stërvitje dhe më mori tek ekipi tij.
Çfarë planesh ka trajneri për ju. Ndonjë huazim?
Nuk e di akoma, të shohim çfarë do të ndodhë. Për momentin jam mirë aty, kam një kontratë 2-vjeçare me Peruxhian. Do të jap maksimumin tim në ndeshjet që do të më jepet mundësia të aktivizohem.
Si ndodhi transferimi yt te Peruxhia?
Ndodhi kur luaja në kampionatin maltez me Sliema Ëanderers. Në atë periudhë, Peruxhia kërkonte portier. Biseduan me menaxherin tim, bëra provën e kalova me sukses dhe më pas u bëra pjesë e ekipit.
Keni pasur oferta?
Kur luaja në kampionatin maltez kam pasur disa oferta edhe nga Superliga Shqiptare, edhe nga Flamurtari, gjithashtu dhe nga ekipe të Maltës. Pastaj u shtua pista e Peruxhias dhe zgjodha të luaja në Itali, pasi cilësia është shumë më e mirë në Serinë B dhe më ofruan më shumë.
Kush ju kontaktoi nga klubi vlonjat?
Drejtori Sportiv ka komunikuar me babain tim.
Zhvilluat një ndeshje të mirë ndaj Genoas në Kupë. Jeni vlerësuar nga mediat italiane. Si u ndiet?
Kisha pak emocione, pasi kisha shumë muaj pa luajtur. Isha përgatitur maksimalisht dhe m’u dha rasti, të cilin e shfrytëzova dhe dhashë maksimumin tim. Ishte një ndjesi e veçantë pas aq ndeshjesh pa u aktivizuar.
Çfarë ju tha trajneri pas ndeshjes?
Më përgëzoi për paraqitjen e mirë dhe u ndjeva i vlerësuar.
Keni luajtur për kombëtaret e moshave U-17, dhe U-19. A prisni një ftesë nga trajneri i ri i U-21-it, Alban Bushi?
Sigurisht! Dëshiroj dhe do të doja që të merrja një ftesë nga Shpresat dhe më pas nga Kombëtarja e madhe. Është ëndrra e çdo futbollisti shqiptar të veshë fanellën kuqezi. Secili prej nesh përpiqet të bëjë maksimumin në ekipet e tyre për të merituar edhe Kombëtaren.
E ndoqët Kombëtaren në Europian?
Po, e kam ndjekur dhe më ka pëlqyer shumë, bëri paraqitje shumë të mirë. Më erdhi keq që nuk arritën të kalonin më tej.
Me cilin nga lojtarët e ekipit keni marrëdhënie më të mira?
Me të gjithë në përgjithësi kam marrëdhënie të mira. Por me Rolando Bianchi-n, Pierre Zebli-n dhe mbrojtësin Salvatore Monaco jam më i afërt.
Po me lojtarët e Kombëtares keni miqësi?
Po, me Ujkanin, që tashmë luan për Kosovën, dhe Memushajn.
Do të donit të riktheheshit një ditë te Juventus, por këtë herë me ekipin e parë?
Patjetër! Është ëndrra ime është të luaj një ditë në Serinë A me Juventusin, pasi është ekipi që më ka rritur dhe ku kam hedhur hapat e para si futbollist. Kam marrë shumë nga ajo akademi dhe shpresoj që një ditë të luaj për atë fanellë.
Intervistoi: Eva MARKU