Është vetëdorëzuar në komisariatin e Lushnjes, Kastriot Hasalla, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasjen Romeo Hasallës, dy ditë më parë.
Ai ishte në kërkim nga policia pas vrasjes së kushëririt të largët Romeo Hasalla, 30 vjeç dhe plagosjen e babait të viktimës dhe dy vëllezërve të tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 29 korrikut në fshatin Garunjas ku pati një konflikt për një sipërfaqe toke. Pasditen e ditës së krimit u arrestuan nga policia, vëllai i Kastriotit, Afrim Hasalla dhe nipi Marjus Hasalla.
Romeo Hasalla kishte vetëm dy ditë që kishte ardhur nga Greqia dhe ishte baba i dy fëmijëve. Familjet ishin në konflikt të vjetër për pronën teksa rezulton se viktima me autorët ishin kushërinj të largët.
Njoftimi i policisë:
Lushnjë / Arrestohet autori i tretë i ngjarjes së ndodhur në fshatin Garunjas, Lushnjë.
Në vijim të punës intensive dhe kontrolleve të pandërprera që prej mëngjesit të datës 29.07.2021 deri ditën e sotme, në banesa dhe në zona ku dyshohej se mund të ishte fshehur autori i tretë i ngjarjes së ndodhur në fshatin Garunjas, u bë arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim, K. H., 49 vjeç, banues në Garunjas, për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.
Vendimi i Gjykatës për vëllezërit e tjerë:
Kujtojmë se vetëm pak minuta më parë, Gjykata e Lushnjes ka marrë vendimin për vëllezërit Hasalla, të cilët ekzekutuan pak ditë më parë në Lushnje kushëririn e tyre pas konflikteve për tokën, duke i lënë ata në masën e sigurisë ‘arrest me burg’.