Ka startuar sonte emisioni “Natë me Xhaxhiun”, ku i ftuari i parë ishte drejtori i ‘Fax News’ Enton Abilekaj i cili ka komentuar aktualitetin politik.
I pyetur nga Rezar Xhaxhiu në lidhje me protestën e dështuar të ditës së sotme kundër vendosjes së tarifës në Rrugën e Kombit, Enton Abilekaj u shpreh se ndikuan shumë faktorë në dështimin e saj, duke filluar nga konçensionari i cili ka kompromentuar disa media.
Por drejtori i ‘Fax News’ fajin kryesor ia lë opozitës që sipas tij është një opozitë e mbaruar që e shiti protestën për interesa të saj.
“Unë mendoj se shumë faktorë ndikuan në këtë çështje dhe një nga faktorët, është që kompania që ka marrë koncesionin mori nën kontroll të gjitha mediat, shpërndau një reklamë duke i bërë të heshtnin. Por ajo që është më e rëndësishme është që partitë e opozitës heshtën dhe bënë çmos për të heshtur këtë protestë. Është e njejta gjë, si tek protesta e liqenit, përçahen faktorëet e protestës, shpenzohen para në media dhe dështon protesta”, u shpreh Abilekaj.
Ndërkohë në një lidhje telefonike gazetari i ‘Fax News’ në Kukës Ermal Hallaçi tha se për protestën e ditës së sotme nuk ishte marrë leje në polici dhe organizimi ishte shumë i vakët, ku edhe deputetët e opozitës që shkuan atje u “larguan kokëulur”.
I pyetur nga Xhaxhiu se si ishte pasqyruar nga ‘Fax News’ ajo çfarë ndodhi sot në Kukës, Abilekaj u shpreh se “Fax News” nuk mund të transmetojë diçka që nuk ndodh, dhe atje nuk pati protestë.
Ai ritheksoi se problemi qëndron tek opozita e cila sipas tij me këtë që po bën, përfshirë edhe rastin konkret të protestës po tregon se është edhe më e keqe se qeveria.
“Fax-i nuk mund të japë atë që nuk ndodh, ne folëm me protagonistët e protestës. Ajo që tha Ermali është e vërtetë, të dërguarit e partive që shkuan me vullnetin e tyre, me aq informacion sa kam unë u është thënë që të mos marrin pjesë në protestë, kjo sepse PD dhe LSI e kanë shitur protestën për interesin e tyre.
Kjo opozitë po tregon se është më e keqe se maxhoranca. Paguhet për të heshtur. Dhe këto para do t’i paguajnë qytetarët e Kosovës. Shqiptarët e Kosovës po paguajnë heshtjen tonë. Këta janë të marrë fund, e treguan sot”, tha ndër të tjera Abilekaj.
(B.H/Faxweb)
Discussion about this post