Skënderbeu i Korçës ia ka dalë për herë të dytë të kualifikohet në fazën e grupeve të Europa League, duke bërë krenarë të gjithë shqiptarët, megjithatë e enjtja në mbrëmje ka rezultuar fatale për thuajse të gjithë futbollistët shqiptarë që aktivizohen nëpër Europë.
Kështu Paok i Ergys Kaçes është eliminuar nga Ostersunds i Suedisë, në një takim ku mesfushori kuqezi qendroi për 90 minuta në stol. Grekët kishin fituar ndeshjen e parë 3-1, por humbën dje me rezultatin 2-0 dhe ëprfudnuan jashtë kompeticionit.
Të njëjtin fat pati edhe Legia Varshava e Armando Sadikut, e cila u eliminua pas dy barazimeve, por ai në Poloni ishte me gola. Sulmuesi elbasanas i kombëtares u aktivizua në minutën e 76, por nuk arriti të ndryshojë fatin e ekipit të tij.
E ndërsa Dinamo Zagreb eliminohej nga Skënderbeu, edhe dy ekipe të tjera kroate u eliminuan nga Europa League të enjten në mbrëmje.
Bëhet fjalë për Hajduk Splitin, ku aktivizohet edhe mbrojtësi shqiptar Memolla dhe që u eliminua nga anglezët e Everton, si dhe Osijek i Eros Grezdës, që u eliminua nga Austria Vienna.
Si Memolla, ashtu edhe Grezda ishin titullarë në ekipet respektive, ndërsa sulmuesi gjakovar u zëvendësua 20 minuta nga fundi.
Grezda debutoi me kombëtaren në ndeshjen ndaj Italisë, ndërsa mbrojtësi Memolla pritet të jetë risia e listës së trajnerit të ri të Shqipërisë, Panucci.
(E.K/SHUPLAKA)